Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër, Vaxhid Sejdiu, ka njoftuar për mbylljen zyrtare të vitit shkollor 2025/2026, duke shprehur mirënjohje për nxënësit, prindërit dhe mësuesit për përkushtimin e treguar gjatë gjithë vitit, transmeton albinfo.ch.
Në mesazhin e tij, Sejdiu njëkohësisht u bëri thirrje prindërve shqiptarë në Zvicër që të regjistrojnë fëmijët për vitin e ri shkollor 2026/2027.
Ai bëri të ditur se në kalendarin vjetor janë paraparë edhe 33 pika të reja shkollore, të cilat pritet të nisin punën me fillimin e vitit të ri shkollor, duke zgjeruar rrjetin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër.
Sejdiu falënderoi nxënësit për dashurinë dhe përkushtimin ndaj gjuhës amtare, duke theksuar se ruajtja e shqipes është mënyra më e mirë për të mbajtur gjallë identitetin kombëtar në diasporë.
Mirënjohje ai shprehu edhe për prindërit, për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm ndaj Shkollës Shqipe, si dhe për mësuesit në të gjithë Zvicrën, të cilët, sipas tij, me punën dhe profesionalizmin e tyre janë ambasadorët më të mirë të arsimit dhe kulturës shqiptare.
Sipas Sejdiut, gjatë vitit shkollor 2025/2026 janë zhvilluar me sukses mësimi, aktivitete kulturore, manifestime dhe projekte të shumta, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë që ka Shkolla Shqipe në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë.
Në fund të mesazhit, ai u uroi të gjithë nxënësve, prindërve dhe mësuesve pushime të mbara verore dhe shprehu besimin se viti i ri shkollor do të sjellë edhe më shumë suksese për Shkollën Shqipe në Zvicër. /Albinfo.ch