Futboll

Kosovare Asllani vazhdon kontratën me London City Lionesses deri në vitin 2027

Kapitenia e Suedisë dhe e klubit anglez mbetet pjesë e London City Lionesses, pavarësisht se aktualisht është në rikuperim nga një lëndim serioz.

Futbollistja me prejardhje shqiptare, Kosovare Asllani, do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës angleze London City Lionesses deri në verën e vitit 2027, transmeton albinfo.ch.

Klubi londinez bëri të ditur të martën se ka zgjatur kontratën me 36-vjeçaren, duke konfirmuar besimin e plotë te përvoja dhe cilësitë e saj, pavarësisht se aktualisht është në proces rikuperimi pas një lëndimi serioz.

Asllani iu bashkua London City Lionesses në vitin 2024 dhe luajti rol kyç në promovimin e ekipit në elitën e futbollit anglez. Në sezonin e kaluar, skuadra e mbylli kampionatin në vendin e gjashtë, ndërsa synimet për edicionin e ri janë edhe më të mëdha.

Për të forcuar ekipin në garën për titull, klubi ka transferuar edhe fituesen e shumëfishtë të “Topit të Artë”, Alexia Putellas.

Kosovare Asllani gëzon një karrierë të jashtëzakonshme në futbollin ndërkombëtar. Ajo ka zhvilluar 209 ndeshje me Kombëtaren e Suedisë, të cilën e udhëheq si kapitene, njësoj si edhe London City Lionesses.

Gjatë karrierës së saj, Asllani ka veshur fanellat e disa prej klubeve më të njohura evropiane, përfshirë Real Madridin, Paris Saint-Germainin, Manchester Cityn dhe Milanin, duke u renditur ndër futbollistet më të suksesshme me prejardhje shqiptare. /Albinfo.ch