Shqipëria

Rama dhe Begaj urojnë SHBA-në për 250-vjetorin e Pavarësisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti Bajram Begaj vlerësuan miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, duke përcjellë urimet e tyre me rastin e 4 Korrikut.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti Bajram Begaj kanë uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se 4 Korriku është një festë e veçantë edhe për shqiptarët, duke e cilësuar SHBA-në një vend me rëndësi të veçantë historike.

“Me 4 Korrikun e Amerikës, nën hijen madhështore të Statujës së Lirisë, që është edhe një festë e veçantë për shqiptarët, pavarësisht erërave kundër që historikisht kanë dashur ta zbehin energjinë e bukur të këtij vendi”, ka shkruar Rama.

Ndërkaq, presidenti Begaj, në mesazhin e tij të urimit, vuri në pah marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke i cilësuar ato të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, paqes dhe prosperitetit.

“Në 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i përcjell urimet më të përzemërta Presidentit Donald Trump dhe popullit amerikan. Shqipëria vlerëson thellësisht miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik me SHBA-në”, ka shkruar Begaj.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, duke theksuar rolin e saj në proceset kryesore të zhvillimit dhe reformave të vendit gjatë 35 viteve të fundit. /Albinfo.ch