Lajme

27-vjeçari shqiptar humb jetën në Itali pas një aksidenti tragjik në vendin e punës

Floriano Cani ndërroi jetë katër ditë pas aksidentit, pasi u godit nga një shtyllë telekomunikacioni gjatë punës në rajonin e Venetos.

Një 27-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Itali si pasojë e një aksidenti të rëndë në vendin e punës, duke rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë e punëtorëve, transmeton albinfo.ch.

Viktima është Floriano Cani, banor i Gemona del Friuli, i cili ndërroi jetë më 30 qershor në një spital në Padova, katër ditë pasi ishte plagosur rëndë gjatë një incidenti në zonën e Due Carrare.

Sipas mediave italiane, i riu u godit nga një shtyllë telekomunikacioni teksa ishte duke punuar, duke pësuar lëndime të rënda. Menjëherë pas aksidentit ai u transportua me helikopter në spital, ku iu nënshtrua trajtimit intensiv, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Ngjarja ka nxitur reagime në Itali, ku përfaqësues të sindikatave kanë bërë thirrje për forcimin e masave të sigurisë në vendet e punës, duke theksuar se numri i aksidenteve fatale në punë vazhdon të mbetet shqetësues.

Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit./Albinfo.ch