Bashkimi Evropian ka përsëritur se Kosovës i nevojitet stabilitet institucional për të përfituar nga mundësitë që ofron procesi i zgjerimit të BE-së, përcjell albinfo.ch.
Ky mesazh u dha gjatë takimit mes shefes në detyrë të Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, dhe Drejtoreshës për Zgjerim të BE-së dhe Fqinjësinë Lindore për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë.
Sipas njoftimit, BE-ja vlerëson se institucionet funksionale janë thelbësore që Kosova të përfitojë plotësisht nga momentumi i ri i zgjerimit, si dhe nga Plani i Rritjes dhe Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA).
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Superti do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve dhe të shoqërisë civile për të diskutuar procesin e integrimit evropian të vendit. /Albinfo.ch