Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se Kosova nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës Veriatlantike dhe rrjedhimisht nuk merr pjesë në këto takime në cilësinë e një shteti pjesëmarrës, përcjell albinfo.ch.
Reagimi vjen pas raportimeve në media lidhur me mungesën e një ftese për Kosovën në samitin e ardhshëm të NATO-s.
Në një përgjigje me shkrim, Ministria ka theksuar se edhe në të kaluarën Kosova nuk ka marrë pjesë në samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës, me përjashtim të disa aktiviteteve të veçanta të organizuara në margjinat e tyre.
“Republika e Kosovës nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe as pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (PfP). Për këtë arsye, ajo nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës”, thuhet në sqarim.
Ministria kujtoi se vitin e kaluar Kosova ishte ftuar në aktivitetin “Women, Peace and Security”, të organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit në kuadër të Samitit të NATO-s, por jo si pjesëmarrëse zyrtare e samitit.
Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në NATO, duke vazhduar reformat dhe forcimin e bashkëpunimit me Aleancën dhe shtetet anëtare./Albinfo.ch