Një histori e veçantë suksesi vjen nga Kosova, ku 7-vjeçari Lekë Jaha ka arritur të përfundojë me sukses programin prestigjioz “HarvardX CS50’s Introduction to Programming with Scratch”, duke dëshmuar talent dhe aftësi të jashtëzakonshme në fushën e teknologjisë që në një moshë shumë të hershme, transmeton albinfo.ch.
Leka, i cili është nxënës i klasës së parë në “Finnish School of Kosovo”, realizoi dhe kaloi me sukses të nëntë projektet e kursit, të cilat u vlerësuan sipas standardeve të programit të zhvilluar nga Universiteti i Harvardit.
Ajo që e bën këtë arritje edhe më mbresëlënëse është fakti se kursi rekomandohet për pjesëmarrës të moshës 12 vjeç e lart, ndërsa Leka e përfundoi atë në moshën vetëm 7-vjeçare.
Me këtë sukses, ai renditet ndër pjesëmarrësit më të rinj që kanë përfunduar programin, duke treguar interes të veçantë për programimin, kreativitet dhe përkushtim të admirueshëm ndaj mësimit.
Arritja e Lekë Jahës është një dëshmi se talenti dhe pasioni për dijen mund të shfaqen që në vitet e para të shkollimit, duke frymëzuar edhe bashkëmoshatarët e tij të ndjekin ëndrrat dhe interesat e tyre në fushën e teknologjisë dhe inovacionit./Albinfo.ch