Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se 8 ose 9 deputetë të komuniteteve joshumicë janë të gatshëm ta mbështesin formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti, transmeton albinfo.ch.
Pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, Krasniqi tha se grupi multietnik dëshiron që sa më shpejt, në bashkëpunim me fituesin e zgjedhjeve, të formohen institucionet e reja të Republikës së Kosovës.
“Grupi multietnik, i përbërë nga 8 ose 9 deputetë, është i gatshëm dhe i interesuar që së bashku me fituesin e zgjedhjeve të formojë sa më parë institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo garanton një numër të mjaftueshëm votash për miratimin e Qeverisë së re”, u shpreh Krasniqi.
Ai theksoi se rezultati i zgjedhjeve ka krijuar një situatë të ngjashme me atë të zgjedhjeve të kaluara, duke shtuar se qytetarët presin nga partitë politike të veprojnë me përgjegjësi dhe të mundësojnë krijimin e institucioneve.
Sipas Krasniqit, Kosovës i nevojitet sa më shpejt një qeveri e re, një Kuvend funksional dhe zgjidhja e çështjes së zgjedhjes së presidentit.
“Qytetari ka folur dhe partitë politike tani duhet të reflektojnë në përputhje me vullnetin e tij”, deklaroi ai.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 deputetë. Për formimin e Qeverisë së re nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend. /Albinfo.ch