Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Operacione Paqeruajtëse, Jean-Pierre Lacroix, së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm, Peter Due, kanë zhvilluar të hënën takime me krerët e institucioneve të Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Gjatë vizitës së tij të dytë në Kosovë brenda tre viteve, Lacroix u takua me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Takimet u vlerësuan si konstruktive nga të dyja palët.
Sipas njoftimit të UNMIK-ut, gjatë diskutimeve është theksuar vlerësimi për përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës dhe progresin e arritur, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe forcimit të bashkëpunimit.
Lacroix ka rikonfirmuar mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të UNMIK-ut për forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve.
Gjatë vizitës, zyrtari i lartë i OKB-së është takuar gjithashtu edhe me përfaqësues të komunitetit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. /Albinfo.ch