Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar sërish mandatin e 52-të në Kuvendin e Kosovës, pas përditësimit më të fundit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përcjell albinfo.ch.
Sipas të dhënave të fundit, janë numëruar 93.63 për qind e votave, ndërsa ndryshimet në rezultat kanë ndikuar edhe në përbërjen aktuale të mandateve parlamentare.
Me rikthimin e ulëses së 52-të për Vetëvendosjen, Partia Demokratike e Kosovës ka humbur një mandat, duke zbritur nga 23 në 22 deputetë në Kuvend.
Procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar, pasi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave të ardhura përmes postës, të cilat pritet të kenë ndikim në rezultatet përfundimtare.
Sipas projeksionit aktual të mandateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 52 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 19 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 7 mandate.
Me mijëra vota nga diaspora ende pa u numëruar, përbërja përfundimtare e Kuvendit mbetet e hapur për ndryshime deri në përmbylljen e plotë të procesit zgjedhor./Albinfo.ch