Pas investimit prej 13 milionë frangash, shumë frekuentues të plazhit publik në Zug ankohen për ushqimin e shtrenjtë, mungesën e hijes dhe ndryshimet në pamjen e kompleksit. përcjell albinfo.ch.
Plazhi publik i qytetit të Zugut, i cilësuar shpesh si “pishina më e shtrenjtë e Evropës”, po përballet me një valë kritikash vetëm pak javë pas rihapjes së tij.
Kompleksi u rinovua me një investim prej 13 milionë frangash zvicerane dhe hapi dyert më 9 maj. Megjithatë, shumë vizitorë shprehen të zhgënjyer me rezultatin e projektit.
Ankesat kryesore lidhen me ofertën gastronomike, infrastrukturën dhe mungesën e vendeve me hije. Një vizitore, e cila kishte frekuentuar rregullisht plazhin gjatë viteve të fundit, shkroi se vendi ka humbur një pjesë të madhe të identitetit që e bënte të veçantë.
Sipas saj, menuja është reduktuar në ushqime të zakonshme dhe jo të shëndetshme, ndërsa çmimet janë tepër të larta.
“Shpenzuam 60 franga për ushqim dhe nuk u ngopëm”, ka shkruar ajo në një vlerësim online.
Vizitorët kanë kritikuar gjithashtu zonën e re për fëmijë, duke e cilësuar si një hapësirë prej betoni pa karakter, si dhe barrierën mbrojtëse kundër dallgëve, e cila sipas tyre pengon pamjen panoramike drejt liqenit dhe maleve përreth.
Pakënaqësi ka pasur edhe për mungesën e vendeve me hije. Disa vizitorë janë ankuar se pemët e mbjella rishtazi ende nuk ofrojnë mbrojtje nga dielli dhe se duhej të ishin vendosur çadra apo struktura të përkohshme.
Një tjetër kritikë ka qenë numri i kufizuar i tualeteve për gratë, me disa vizitore që raportuan pritje deri në 30 minuta.
Megjithatë, jo të gjitha reagimet kanë qenë negative. Disa frekuentues kanë vlerësuar pamjen e re të kompleksit dhe shëtitoren buzë liqenit, duke theksuar se panorama drejt maleve është mbresëlënëse.
Pavarësisht kësaj, edhe shumë prej tyre kanë shprehur pakënaqësi me restorantin dhe çmimet e ushqimeve.
Debati rreth investimit prej 13 milionë frangash kishte nisur që para fillimit të punimeve, kur disa politikanë lokalë vunë në pikëpyetje nevojën e një projekti kaq të kushtueshëm për një plazh publik. Tani, pas rihapjes, kritikat kanë kaluar nga arena politike te vetë vizitorët, të cilët kërkojnë përmirësime konkrete në shërbimet dhe infrastrukturën e kompleksit. /Albinfo.ch