Kosova
NATO nis zvogëlimin gradual të trupave të KFOR-it në Kosovë
Aleanca vlerëson se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm, por thekson se nuk do të lejojë krijimin e asnjë vakumi sigurie.
NATO ka njoftuar se do të nisë një proces gradual të optimizimit të pranisë së misionit paqeruajtës KFOR në Kosovë, duke përshtatur numrin e trupave në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në vend, përcjell albinfo.ch.
Lajmi është bërë i ditur nga Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë (SACEUR), gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Alexus G. Grynkewich, i cili theksoi se NATO mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
“NATO dhe KFOR-i janë plotësisht të përkushtuar për sigurinë dhe mbrojtjen në Kosovë. Ky përkushtim ka çuar në rritjen e stabilitetit, pasi organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar më tej madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, deklaroi Grynkewich.
Sipas njoftimit të publikuar nga Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), NATO në muajin janar ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në Kosovë, pas më shumë se dy vitesh rotacioni të vazhdueshëm, si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë.
Reduktimi i planifikuar i trupave do të realizohet gradualisht gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm, në përputhje me ciklet e rotacionit dhe dislokimit të vendeve pjesëmarrëse në mision. Megjithatë, NATO ka bërë të qartë se ky proces mund të ndalet ose të ndryshohet nëse zhvillimet në terren e kërkojnë një gjë të tillë.
Gjenerali Grynkewich ritheksoi se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën dhe se siguria e tij lidhet drejtpërdrejt me sigurinë euroatlantike.
“NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie”, theksoi ai.
KFOR-i pësoi përforcimin më të madh në më shumë se një dekadë gjatë vitit 2023, pas tensioneve në veri të Kosovës dhe sulmeve ndaj pjesëtarëve të misionit në Zveçan, kur rreth 1.000 ushtarë shtesë u vendosën në Kosovë.
Sipas NATO-s, me situatën aktuale të sigurisë që konsiderohet e qëndrueshme, KFOR-i mund të vazhdojë të përmbushë misionin e tij në mënyrë efektive, duke garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, NATO ka riafirmuar mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u bërë thirrje të dyja palëve që të angazhohen për zgjidhjen e çështjeve të mbetura dhe forcimin e stabilitetit afatgjatë në rajon./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Cakolli: VV-ja mund ta formojë qeverinë nëse siguron 65 për qind të votave të diasporës Sipas hulumtuesit të Demokracisë në Veprim, rezultati i votimit jashtë vendit mund të jetë vendimtar për... -
KQZ nis sot numërimin e votave nga përfaqësitë diplomatike, mbi 22 mijë qytetarë votuan jashtë vendit -
Dua Lipa dhe Callum Turner kurorëzojnë dashurinë me një dasmë përrallore në Palermo -
Gjermani
Ambasada e Kosovës organizon panel me diasporën shqiptare në Berlin -
Diaspora
Mijëra qytetarë të Kosovës votojnë sot në ambasada dhe konsullata
Jeta në Austri
-
Austria bie dakord për rregulla të reja për vetëvrasjen e asistuar Austria planifikon rregulla të reja për vdekjen e asistuar, duke balancuar autonominë e pacientit, mbrojtjet ligjore... -
Mbyllet procesi i votimit në Vjenë: Votuan 907 qytetarë -
Përfundon procesi i votimit në qendrat diplomatike të Kosovës në Evropë -
Procesi i votimit në Ambasadën e Kosovës në Austri, i rregullt dhe pa pengesa -
Alarm në Vjenë: Shumë mace bien nga dritaret, paralajmërohen dënime të larta











