Lajme

Gjeneva forcon kufirin me Francën, vendosen blloqe betoni në pikat kufitare

Vetëm shtatë pika kalimi do të mbeten të hapura, kontrolle më të rrepta për automjetet gjatë periudhës së samitit në Evian

Autoritetet zvicerane kanë njoftuar masa të shtuara sigurie në kufirin mes Gjenevës dhe Francës, në prag të samitit të G7 që do të mbahet në Evian më 12 qershor, përcjell albinfo.ch.

Si pjesë e këtyre masave, blloqe betoni do të vendosen në disa pika kufitare, duke rikthyer masa të ngjashme me ato të përdorura gjatë pandemisë Covid-19, kur lëvizja ndërkufitare ishte e kufizuar.

Sipas njoftimeve zyrtare, këto masa do të jenë në fuqi nga 12 deri më 18 qershor, periudhë gjatë së cilës vetëm shtatë pika kufitare mes Francës dhe Gjenevës do të mbeten të hapura.

Pikat e hapura për kalim do të jenë Anières, Moillesulaz, Thônex-Vallard, Bardonnex, Perly, Meyrin dhe Ferney-Voltaire, ku automjetet do t’i nënshtrohen kontrolleve më të rrepta dhe sistematike.

Autoritetet theksojnë se masat janë të nevojshme për arsye sigurie dhe për të garantuar mbarëvajtjen e samitit ndërkombëtar./Albinfo.ch