Posta e Kosovës ka lansuar emisionin më të ri filatelik “Engjëjt e Lirisë – shtatorja ‘Leotrimi i vogël’”, duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve Viktima të Pafajshëm të Agresionit, transmeton albinfo.ch.
Ky emision i veçantë filatelik i kushtohet kujtimit të fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe synon të përcjellë mesazhe të fuqishme për ruajtjen e kujtesës historike, respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe promovimin e paqes.
Në pullën postare paraqitet shtatorja “Leotrimi i vogël”, kushtuar Leotrim Ahmetit, emri i të cilit është shndërruar në simbol të fëmijëve që humbën jetën gjatë luftës. Përmes këtij motivi, Posta e Kosovës synon të rikujtojë rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe ndërtimit të një shoqërie të bazuar në dinjitet, solidaritet dhe paqe.
Sipas Postës së Kosovës, filatelia mbetet një mjet i rëndësishëm për dokumentimin dhe transmetimin e ngjarjeve me vlerë historike e shoqërore tek brezat e ardhshëm, duke kontribuar në ruajtjen e kujtesës kolektive.
Për realizimin e pullës është përdorur pamja e shtatores “Leotrimi i vogël”, vepër e skulptorit Sabri Behramaj, e siguruar nga Komuna e Skenderajt. Emisioni filatelik do të mbetet në qarkullim postar deri në konsumimin e plotë të tirazhit./Albinfo.ch