Një shtetase e Britanisë së Madhe është arrestuar në momentin e mbërritjes në Aeroporti Ndërkombëtar Adem Jashari, pasi rezultonte e kërkuar me urdhër-arrest aktiv nga autoritetet e Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:40, gjatë kontrollit kufitar, kur është ndaluar shtetasja Valentina Trajanovska, me shtetësi britanike dhe prejardhje nga Maqedonia e Veriut.
Pas verifikimeve në sistemet zyrtare, është konstatuar se ndaj saj ekzistonte urdhër-arrest aktiv i lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, në lidhje me një rast që lidhet me veprën penale të vjedhjes.
Sipas të njëjtave burime, me urdhër të gjyqtarit kompetent, e dyshuara është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Lipjan, deri në vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Rasti po trajtohet nga organet kompetente, ndërsa personi i dyshuar prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./Albinfo.ch