Qytetarët në Zvicër mund të përballen me një tjetër rritje të ndjeshme të primit të sigurimeve shëndetësore këtë vjeshtë.
Sipas parashikimeve të ekspertëve, çmimet pritet të rriten mesatarisht rreth 5 për qind në vitin e ardhshëm.
Rritja lidhet kryesisht me kostot gjithnjë e më të larta në sistemin shëndetësor, përfshirë shpenzimet për trajtime, barna dhe kujdesin spitalor.
Ekspertët paralajmërojnë se presioni financiar mbi familjet zvicerane po bëhet çdo vit më i madh, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
Në vitet e fundit, sigurimet shëndetësore janë rritur vazhdimisht në Zvicër, duke u kthyer në një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve. Shumë familje tashmë shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave mujore vetëm për pagesat e primit.
Autoritetet zvicerane pritet të publikojnë shifrat zyrtare të rritjes së primit gjatë muajve të ardhshëm, ndërsa debatet politike për reformimin e sistemit shëndetësor janë intensifikuar.
Ekspertët theksojnë se pa masa konkrete për uljen e kostove në sektorin e shëndetësisë, trendi i rritjes së sigurimeve do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.