Kosova
Presidentja Osmani ia dorëzon sot detyrën Albulena Haxhiut
Kosovë: Ceremonia e pranim-dorëzimit mbahet në orën 16:00, ndërsa Haxhiu do të ushtrojë detyrën e presidentes deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Presidentja e shtetit të Kosovës Vjosa Osmani do t’ia dorëzojë sot detyrën kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila do të marrë rolin e ushtrueses së detyrës së presidentes, pasi Kuvendi ende nuk ka arritur të zgjedhë presidentin e ri të Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Presidencës përmes një komunikate, ku thuhet se ceremonia e pranim-dorëzimit do të mbahet sot në orën 16:00, në kabinetin e Presidencës.
Sipas procedurave kushtetuese, Haxhiu mund ta ushtrojë këtë post maksimumi për gjashtë muaj, deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Vlen të theksohet se Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill për ta zgjedhur presidentin e ri, afat ky i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila javën e kaluar i dha Kuvendit edhe 34 ditë shtesë për përmbylljen e këtij procesi.
Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, duke sqaruar se procedura 60-ditëshe për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 5 mars, kur Kuvendi nuk arriti të hedhë në votim kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxhës nga Vetëvendosje, për shkak të mungesës së kuorumit.
Në këtë situatë, kryeministri dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka deklaruar se është në kontakt me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Bedri Hamzën (PDK) dhe Lumir Abdixhikun (LDK), duke paralajmëruar takime me ta gjatë javës së ardhshme për të diskutuar zgjidhjen e çështjes së presidentit.
Kurti ka pasur takime të ngjashme edhe më herët me Hamzën dhe Abdixhikun, por ato nuk kanë prodhuar ndonjë marrëveshje konkrete.
Presidentja Osmani ndërkohë ka shprehur ambicie për një mandat të dytë, ndërsa ka paralajmëruar se në rast të dështimit për t’u rizgjedhur, do të vazhdojë angazhimin e saj politik./Albinfo.ch
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Ramë Dardania merr pjesë në festivalin ndërkombëtar të artit, në Kotor “Për mua është shumë domethënëse që emri Dardania të jetë aty, në zemër të Kotorit, përkrah... -
Mbi 8 vjet burg për 23-vjeçarin nga Kosova në Danimarkë, ja për çfarë u dënua -
Dy shtetas të Kosovës arrestohen në Gjermani pas vjedhjes në një farmaci -
Në Aarau u shënua përvjetori i dhjetë i shenjtërimit të Nënë Terezës -
Kumbaro u bën thirrje prindërve në diasporë: Regjistroni fëmijët në shkollat shqipe
Jeta në Austri
-
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht Në Vjenë, nevoja për mbështetje në gjuhën gjermane është e lartë. Në të gjithë Austrinë, kjo... -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë?












