Futboll

Ylli sllovak: Nuk arritëm ta përballojmë ritmin e Kosovës

Dubravka pranon se pjesa e dytë ishte vendimtare dhe shpreh zhgënjim të madh pas disfatës 4:3 në Bratislavë.

Pas humbjes dramatike me rezultat 4:3 ndaj Kosovës, portieri i Sllovakisë, Martin Dubravka, ka pranuar se ekipi i tij nuk arriti të përballojë intensitetin dhe ritmin e lartë të “Dardanëve”, sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes, përcjell albinfo.ch.

Sllovakia e mbylli pjesën e parë me epërsi 2:1, duke lënë përshtypjen se kishte kontroll mbi rrjedhën e lojës. Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas pushimit, kur Kosova u rikthye fuqishëm, përmbysi rezultatin dhe siguroi një fitore historike në Bratislavë, duke kaluar në finalen e “play-offit” për Botërorin 2026.

Intensiteti i lartë, presioni i vazhdueshëm dhe efikasiteti i Kosovës në fazën sulmuese bënë diferencën në momentet vendimtare të sfidës.

Në deklaratën e tij pas ndeshjes, Dubravka nuk e fshehu zhgënjimin, duke e cilësuar pjesën e dytë si shumë larg nivelit që kërkohet në një ndeshje të tillë.

“Ne patëm një pjesë të parë shumë të mirë, por pjesa e dytë ishte vërtet e keqe. Pasi Kosova barazoi sërish, ne nuk arritëm ta mbanim ritmin me të”, ka deklaruar Dubravka.

Ai shtoi se kjo humbje do t’i mbetet gjatë në mendje, veçanërisht për faktin se për lojtarët më të vjetër kjo ishte një nga mundësitë e fundit për të ëndërruar Botërorin.

“Jam i trishtuar, do të më mbetet peng për një kohë të gjatë. Për ne lojtarët më të vjetër, ishte një nga rastet tona të fundit për të luajtur në Kupën e Botës. Por ky është realiteti”, u shpreh ai.

Kosova, ndërkohë, do të luajë të martën në Prishtinë finalen vendimtare të “play-offit” ndaj Turqisë, për një vend në Kampionatin Botëror 2026./Albinfo.ch.