Lajme
Shqiptari nga Kosova i mbijeton tragjedisë në autobusin në Zvicër: Brenda pak sekondash autobusi u mbush me tym
Faton Berisha ishte mes pasagjerëve në autobusin që u përfshi nga flakët në Kerzers. Ai shpëtoi me djegie dhe dëmtime nga tymi, ndërsa familjarët rrëfejnë momentet dramatike të ngjarjes.
Mes personave që ndodheshin në autobusin postar që u përfshi nga flakët në Kerzers në kantonin Fribourg ishte edhe një shqiptar nga Kosova, i cili arriti të shpëtojë nga tragjedia ku humbën jetën gjashtë persona dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur, transmeton albinfo.ch.
Sipas raportimit të mediumit zviceran 20 Minuten, bëhet fjalë për Faton Berisha, i cili pësoi djegie në trup dhe dëmtime nga thithja e tymit, por arriti të dalë me vështirësi nga autobusi i përfshirë nga flakët.
Kushëriri i tij, Arbi Berisha, ka treguar se kishte mbërritur në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pasi shpërtheu zjarri.
“Fatoni më telefonoi dhe më tha se autobusi ishte përfshirë nga zjarri dhe të shkoja sa më shpejt në parkingun e Migros. Në atë moment nuk dija çfarë të bëja, thjesht fillova të vrapoja”, rrëfen ai.
Sipas tij, e gjeti kushëririn pak më vonë kur doli nga tualeti i një restoranti pranë vendit të ngjarjes.
“U lehtësova kur e pashë, por ai kishte djegie në duar, në këmbë dhe në majën e hundës. Fytyra i ishte nxirë krejt nga tymi dhe mushkëritë i ishin dëmtuar”, tregon Arbi.
Ai shton se ishte pikërisht ai që i kishte sugjeruar Fatonit të merrte autobusin për t’u kthyer në shtëpi.
“Ai kishte dalë për një shëtitje të shkurtër dhe më telefonoi për të më pyetur si të kthehej në shtëpi. I thashë të merrte autobusin”, kujton ai.
Sipas dëshmisë së Fatonit, momentet kur shpërtheu zjarri ndodhën shumë shpejt. Ai ishte ulur në mes të autobusit, pranë dyerve të hyrjes dhe daljes. Një burrë që ndodhej pranë hapësirës për biçikleta dyshohet se kishte nxjerrë një çakmak dhe ishte spërkatur me benzinë.
“Në atë moment Fatoni bërtiti me zë të lartë. Brenda pesë ose gjashtë sekondash autobusi u mbush plot me tym dhe nuk shihej asgjë”, rrëfen Arbi duke përcjellë dëshminë e kushëririt të tij.
Fillimisht dyert e autobusit nuk u hapën dhe Fatoni pësoi djegie në duar duke u përpjekur t’i hapte ato.
“Më pas ai dëgjoi se dyert u hapën dhe doli me vështirësi jashtë. Në atë moment më telefonoi”, tregon Arbi, i cili jeton rreth 200 metra nga vendi i ngjarjes.
I plagosuri u dërgua për trajtim në Inselspital, ku sipas familjarëve djegiet më të rënda i ka në duar, ndërsa gjendja e tij konsiderohet relativisht stabile.
Megjithatë, përveç lëndimeve fizike, ai po përballet edhe me pasojat psikologjike të ngjarjes.
“Ai është shumë i traumatizuar dhe nuk mund të flejë”, ka thënë kushëriri i tij.
Ndërkohë, një tjetër shqiptar që ndodhej pranë vendit të ngjarjes, Astrit B., pronar i një lokali në Kerzers, ka treguar se policia ishte në ambientet e biznesit të tij pak para incidentit për shkak të një raportimi për vjedhje.
Ai rrëfen se situata ndryshoi papritur kur njëri nga policët dëgjoi komunikimin në radio.
“Policët ishin te lokali im për shkak të një vjedhjeje. Papritur njëri prej tyre tha: ‘Ju lutem pak qetësi’, sepse po dëgjonte komunikimin në radio. Pas pak ai tha: ‘Duhet të largohemi menjëherë, është një emergjencë’”, ka treguar ai për median zvicerane Blick.
Pak çaste më vonë ai pa një re të madhe tymi në qiell.
“Policët hipën në veturë dhe arritën në vendin e ngjarjes për rreth 30 sekonda. Edhe unë shkova menjëherë pas tyre – ajo që pashë ishte tronditëse”, tha ai. /Albinfo.ch
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nikol Tuka shkëlqen në koncertin dedikuar Beethoven-it me Orkestrën Simfonike të RTSH-së Nën dirigjimin e Facundo Agudin, Orkestra Simfonike e RTSH-së solli një mbrëmje të veçantë artistike, me... -
Austria
Liridon Hoti diplomon Master në Filozofi në Vjenë -
7-vjeçari nga Kosova përfundon me sukses programin HarvardX për programim -
Islandë
Nga Kosova në Islandë: Historia e suksesit e vëllezërve Dardan dhe Armend Zogaj -
Gjermani
Hapet Shkolla Shqipe “URA” në Esslingen për fëmijët e diasporës
Jeta në Austri
-
Austria
Liridon Hoti diplomon Master në Filozofi në Vjenë Punimi i tij shkencor mbi konceptin e lirisë sipas Erich Fromm u vlerësua me çmim dhe... -
Miki Ramadani kandidate e Partisë Komuniste për Këshillin Komunal në Graz -
Shqiptarët protestojnë sërish në Vjenë: “Jemi në mbështetje të popullit në Shqipëri” -
Skanerët e rinj të aeroportit të Vjenës lejojnë lëngjet deri në dy litra -
Më pak se 50% i kalojnë provimet e integrimit A2/B1 të Austrisë











