Lajme
Kriminelë kibernetikë shantazhojnë bizneset zvicerane me vlerësime të rreme negative
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Zvicër po përballen me një formë të re shantazhi online, ku kriminelë kibernetikë përdorin vlerësime negative të rreme në Google Maps për të kërkuar para në këmbim të “pastrimit” të reputacionit digjital.
Sipas një hetimi të njësisë së të dhënave të transmetuesit publik zviceran SRF, pas një vale komentesh përçmuese dhe vlerësimesh me një yll, pronarët e bizneseve kontaktohen përmes WhatsApp-it dhe u kërkohet të paguajnë shuma që variojnë nga 100 deri në 200 franga zvicerane për heqjen e tyre.
Google Maps është kthyer në një mjet kyç për klientët që kërkojnë restorante, dentistë apo shërbime të ndryshme, duke e bërë vlerësimin online vendimtar për suksesin e një biznesi. Pikërisht këtë varësi po e shfrytëzojnë rrjetet e zhvatjes.
Një nga viktimat është Max Minin, pronar i një punishteje riparimi në kantonin Solothurn. Brenda pak minutash, në profilin e tij u shfaqën disa vlerësime negative nga llogari të dyshimta, të shkruara në anglisht. Edhe pse fillimisht arriti t’i raportojë dhe t’i largojë komentet, një pjesë e tyre u rikthyen disa ditë më vonë, duke mbetur aktive pa mundësi raportimi të dytë.
Hetimet e SRF kanë zbuluar se këto llogari të rreme lidhen me një rrjet ndërkombëtar zhvatjeje, me origjinë të dyshuar në Pakistan. Të njëjtat profile kanë lënë komente negative edhe për biznese në vende të tjera evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara.
Sipas ish-hetueses amerikane Kay Dean, e cila sot drejton kanalin “Fake Review Watch”, këto rrjete janë pjesë e organizatave që shesin vlerësime të rreme pozitive dhe negative në Google Maps, duke përdorur profile fiktive dhe inteligjencë artificiale për gjenerimin automatik të komenteve.
Dean thekson se platformat e vlerësimeve, përfshirë Google, kanë krijuar një mjedis tepër të lirshëm, ku mashtrimi shpesh mbetet i pandëshkuar, ndërsa bizneset e ndershme dëmtohen.
Nga ana e saj, Google ka deklaruar se përdor algoritme dhe ekipe njerëzore për të identifikuar përmbajtje mashtruese, se heq vlerësime dhe profile të rreme dhe se ndërmerr veprime ligjore kundër rrjeteve kriminale.
Autoritetet dhe ekspertët këshillojnë bizneset që, në rast se përballen me këtë formë shantazhi:
të mos reagojnë ndaj kërkesave për pagesë
të bllokojnë menjëherë kontaktet e dyshimta
të mos kryejnë asnjë pagesë
të raportojnë vlerësimet te Google
të dokumentojnë çdo rast me pamje ekrani dhe prova komunikimi
Fenomeni po merr përmasa shqetësuese, ndërsa bizneset e vogla mbeten më të ekspozuara ndaj këtyre sulmeve digjitale, të cilat po shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë besimin e konsumatorëve te vlerësimet online.
E-Diaspora
-
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani Nga 22 maji kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për regjistrimin, ri-fitimin dhe natyralizimin e... -
Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare -
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana” -
Nju-Jork
Tragjedi në Manhattan: 56-vjeçarja shqiptare humb jetën pasi ra në një pusetë elektrike
Jeta në Austri
-
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë Të enjten u vendos ulja e TVSH-së. Qeveria flet për lehtësim - por klientët do të... -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan” -
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë













