Kosova
Nga Zvicra në Prishtinë: Mjekët shqiptarë frymëzojnë gjeneratën e re të studentëve të mjekësisë
Një urë e dijes dhe përvojës në kuadër të “Swiss Medical School”, që bashkon diasporën mjekësore shqiptare me universitetin më të vjetër të Kosovës
Më 8 nëntor 2025, në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, u mbajt edicioni i dytë i ngjarjes shkencore “Swiss Medical School”, e organizuar nga Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër (LMSHZ) në bashkëpunim me Organizatën e Studentëve të Mjekësisë – KOMS.
Ngjarja mblodhi disa prej mjekëve shqiptarë më të njohur që veprojnë në Zvicër, të cilët mbajtën ligjërata para studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, duke ndarë përvojat e tyre profesionale dhe duke krijuar ura të reja bashkëpunimi akademik ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.
Në hapje, fjalën e morën Prof. Dr. Sefedin Muçaj, dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe Dr. med. Mentor Bilali, kryetar i LMSHZ-së, të cilët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave ndërmjet profesionistëve të diasporës dhe studentëve në Kosovë.

Sipas LMSHZ-së ”Kjo ngjarje shkencore u dedikua absolventëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe Stomatologjisë, si dhe mjekëve të rinj, me qëllim që të mundësojë transferimin e dijes bashkëkohore dhe eksperiencave profesionale nga Zvicra në Kosovë. Bashkëpunimi me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës përbën një shtyllë themelore të këtij projekti; ai lehtëson shkëmbimin e njohurive dhe krijon ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes profesionistëve shqiptarë në Zvicër dhe atyre në Kosovë e më gjerë.”
Pas përfundimit të ngjarjes, disa prej mjekëve ligjërues ndanë përshtypjet e tyre për Albinfo.ch, duke shprehur vlerësimet e tyre për takimin me studentët e Prishtinës dhe për nivelin e përgatitjes akademike të tyre.

Prof. Dr. Përparim Limani, kirurg, i cili prezantoi temën “Kirurgjia citoreduktive (CRS) dhe kimioterapia intraperitoneale me hipertermi (HIPEC) për malignitetet e sipërfaqes peritoneale (PSM)”, tha: “Ishte një kënaqësi e veçantë të ligjëroja para studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë dhe të zhvillonim diskutime të thella rreth kësaj teme komplekse, por jashtëzakonisht të rëndësishme për trajtimin modern të pacientëve me tumore peritoneale. Më bëri shumë përshtypje interesimi i madh i studentëve dhe mënyra kritike me të cilën ata qasën pyetjeve dhe rasteve klinike. Kjo dëshmon se në Kosovë po rritet një brez i ri mjekësh të përgatitur dhe të motivuar.”
Dr. Durrësim Ramadani, urolog, shtoi:“Prezantimi im ishte për hiperplazinë beninje të prostatës, një problematikë shumë e shpeshtë te pacientët e moshuar. Ka pasur një prani të jashtëzakonshme të studentëve dhe mjekëve të rinj. Ishte kënaqësi të ndajmë njohuritë dhe përvojën tonë me ta.”
Dr. Naim Mehmeti, angiolog theksoi : “Qëllimi i ligjëratës time për ‘Trombozën e venave të thella dhe sipërfaqësore’ ishte të theksohej rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe parandalimit të komplikimeve. Pjesëmarrja e studentëve ishte mbresëlënëse. Ky bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe profesionistëve kontribuon ndjeshëm në avancimin e mjekësisë dhe cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve.”
Prof. Dr. Florim Cuculi, kardiolog, u shpreh se ishte thellësisht i impresionuar nga gjenerata e re e studentëve të mjekësisë në Kosovë: “U mahnita nga përgatitja dhe entuziazmi i studentëve. Kosova ka shpresë. Politika duhet të kujdeset për të ardhmen e këtyre të rinjve, sepse mungesa e perspektivës për specializim i nxit ata drejt emigrimit.”
Msc. med. dent. Gazmend Haliti, stomatolog, e përshkroi këtë edicion si një ngjarje të jashtëzakonshme: “Swiss Medical School në Prishtinë dëshmoi një nivel të lartë profesionalizmi dhe angazhimi. Pjesëmarrja e mbi 250 studentëve të talentuar tregoi pasionin dhe përkushtimin për dije. E ardhmja e sistemit shëndetësor në Kosovë qëndron te kjo gjeneratë. Shpresojmë që këta të rinj ta ushtrojnë profesionin e tyre në vend dhe të kontribuojnë në zhvillimin e një sistemi shëndetësor në shërbim të qytetarit.”

Dr. Bujar Sopi, internist, në deklaratën e tij për Albinfo.ch, vuri në dukje rëndësinë e parandalimit të komplikimeve në praktikën klinike: “Insuficienca renale akute është një ndër komplikacionet më të shpeshta dhe më serioze në praktikën klinike. Qëllimi im ishte të theksoj rëndësinë e parandalimit përmes njohjes së pacientëve me rrezik të lartë dhe menaxhimit korrekt të rasteve. Insuficienca renale nuk është vetëm një problem laboratorik, por një alarm klinik që kërkon mendim të strukturuar dhe bashkëpunim ndërdisiplinar.”
Ngjarja u shoqërua me workshope praktike dhe sesione interaktive, ku studentët patën mundësi të përfshihen në demonstrime klinike, duke përjetuar nga afër përvojën profesionale të mjekëve nga Zvicra.
“Swiss Medical School” u vlerësua si një nga iniciativat më domethënëse që po forcon lidhjet midis diasporës profesionale shqiptare dhe institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, duke krijuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe shkëmbimi profesional që tejkalojnë kufijtë dhe bashkojnë përvojën, dijen dhe misionin njerëzor të mjekut shqiptar.
Përgatiti: Luljeta Ademi / Albinfo.ch
Të ngjashme

LMSHZ-së me simpoziumin e tretë në Zvicër
- Dr. Mentor Bilali, kryetar i ri i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës
- Ftesë për mjekët, stomatologët dhe farmacistët nga diaspora dhe trojet shqiptare në Simpoziumiin e II- të Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër
- Kardiokirurgu Xhemali, zviceranëve: “Na pranoni, universitetet tona nuk janë kancerogjene”
- Kush është Dr. Mentor Bilali, kryetar i ri i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës?
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Suedi
Dy akademikë nga Kosova ndër më të spikaturit në universitetet suedeze Miranda Kajtazi, docente në Universitetin e Lundit, dhe Bahtijar Vogel, udhëheqës i Departamentit të Shkencave Kompjuterike... -
Përparim Avdili: Nuk duhet të ndryshoj emrin për tu bërë kryebashkiak i Cyrihut -
Würenlos: Dy të rinj shqiptarë aksidentohen duke ikur nga policia -
Agon Sejdiu – piloti shqiptar që i dha krahë ëndrrës së fëmijërisë -
E zë gjumi në pompën e benzinës, me motorin ndezur – i merret patenta kosovarit
Jeta në Austri
-
A do të punonit në Austri për 2200 euro? Austria kërkon punëtorë sezonalë në prag të sezonit dimëror... -
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë













