Kosova

Nagavci u uron nxënësve fillimin e vitit shkollor

"Uroj që ta nisni këtë vit shkollor me energji pozitive, përkushtim dhe shpresë, duke besuar fort në fuqinë e dijes suaj"

Ministrja në detyrë e arsimit, Arbërie Nagavci, përmes mediave sociale u ka drejtuar një urim nxënësve, mësuesve dhe prindërve, me rastin e 1 shtatorit, ditës së fillimit të vitit shkollor 2025-2026.
Në vazhdim, urimi i zonjës Nagavci.
Të dashur nxënës, mësues dhe prindër,
Urime për fillimin e vitit të ri shkollor 2025-2026!
Sot nis një udhëtim i ri i dijes, i mbushur me sfida dhe mundësi të reja për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit tanë. Ky është momenti kur fëmijët kthehen me buzëqeshje në bankat shkollore, të etur për të mësuar, për t’u rritur dhe për të realizuar ëndrrat e tyre.
Arsimi është çelësi për një të ardhme më të ndritur dhe të qëndrueshme për vendin tonë. Andaj, të gjithë së bashku duhet të krijojmë një ambient mbështetës dhe frymëzues, ku çdo nxënës të ndihet i vlerësuar dhe i motivuar për të arritur më të mirën.
Uroj që ta nisni këtë vit shkollor me energji pozitive, përkushtim dhe shpresë, duke besuar fort në fuqinë e dijes suaj.
Jam e bindur se, me bashkëpunimin e shkollave dhe prindërve, si dhe me angazhimin e palodhur të mësimdhënësve dhe stafit tjetër në shkolla, sukseset nuk do të mungojnë.
Vit të mbarë shkollor për të gjithë!