Kosova

Byreku shqiptar në festivalin 2025 në Illinois

SHBA, dyfishohet pjesëmarrja në Festivalin e mbajtur në Illinois

Mbi 800 veta u mblodhën në rrethinën e Chicagos për Festivalin e Byrekut 2025 — një eveniment i organizuar nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois (AACI), që këtë vit dyfishoi pjesëmarrjen dhe mori edhe një vlerësim zyrtar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përcjell albinfo.ch.

Themeluar në vitin 1998, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois është organizata ombrellë për të gjithë Shqiptarët në Illinois. Bordi i kësaj organizate është i strukturuar me nga dy përfaqësues nga secila prej gjashtë trevave prej nga vijnë Shqiptarët — diçka që, siç thotë kryetari i bordit Edon Shaqiri, është shtylla e fortë e lidhjes së gjerë që ka komuniteti. “Kur secili ka vend në tavolinë, çdo cep i kulturës sonë është i përfaqësuar,” tha Shaqiri. “Prandaj sheh byrek këtu nga çdo anë.”

Ajo që e bën Festivalin e Byrekut të veçantë është se bashkon Shqiptarët nga të gjitha trevat — dhe nga çdo brez. Gjyshe e gjyshër, prindër e fëmijë, të gjithë gjetën diçka që u kujtoi vendlindjen dhe diçka të re, qoftë një shije që ua solli ndërmend fëmijërinë, apo një këngë që i çoi në valle.

Dhe kishte çfarë të shihje — nëse arrije me kohë. Radhët për ushqim ishin të gjata, dhe byreku, i përgatitur nga kuzhinierë që përfaqësonin çdo krahinë të Shqipërisë e Kosovës, iku shpejt. Vendi i parë këtë vit shkoi për Emine Jakupin nga Gjilani, Kosovë. Gjatë intervistës, Jakupi ishte pranë nënës së saj, që i kishte trashëguar recetën fituese — një moment që preku shumë njerëz. Vendi i dytë shkoi për Edisa Combin nga Fieri, ndërsa i treti për Migerta Radhimën nga Vlora.

Përveç byrekut, në skarë piqeshin qebapa, kishte pizza për fëmijët dhe tavolina të mbushura me ëmbëlsira Shqiptare të shtëpisë. Muzika nga çdo cep i Shqipërisë — me DJ Besin — mbajti turmën në valle edhe pasi pjatat ishin boshatisur.

As fëmijët nuk mbetën pas. Dafina Rexhepi, drejtoresha e rinisë në Komunitet, u kujdes që të kishte lojëra dhe aktivitete që mbajtën familjet deri në fund të ditës.

Këtë vit festivali nuk mori vetëm një përshëndetje nga Kryeministri Edi Rama — u përmend edhe nga Ministri Taulant Balla, gazetari Blendi Fevziu dhe nga Mrizi i Zanave, restoranti i njohur-agroturistik në Shqipëri. I gjithë eventi u mundësua falë mbështetjes së bizneseve shqiptaro-amerikane që dolën sponsorë. Eventi vazhdoi të jetë krejtësisht falas për komunitetin dhe shumë familje dhuruan nga vetja për të mbajtur Festivalin e Byrekut gjallë e në rritje.

Për shumë familje Shqiptare të zonës, momenti më i bukur ishte i thjeshtë: ushqimi i mirë, muzikë argetuese dhe një festival që tregon sa unik është ky komunitet — i bashkuar përtej trevave, brezave dhe nga një byrek i thjeshtë, që zhdukej më shpejt se sa doli nga furra.

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois (“AACI” ose “Komuniteti”) u themelua në vitin 1998 me misionin për të bashkuar dhe përfaqësuar diasporën Shqiptare në gjithë shtetin e Illinois-it. Përmes aktiviteteve kulturore, edukimit dhe angazhimit në komunitet, AACI vijon të ruajë trashëgiminë tonë kombëtare dhe të ndërtojë ura lidhëse mes brezave. Për më shumë informacion ose për t’u bërë pjesë, vizitoni www.aaciusa.org