Kosova
Kosova do të përfitojë edhe nga korniza e ardhshme financiare e BE-së
Mësohet se mjetet financiare të BE-së për procesin e zgjerimit, nga viti 2028, do të jenë shumë më të mëdha sesa që janë tani, për t’u përshtatur me progresin e përshpejtuar të vendeve kandidate. Këtë e ka bërë të ditur të enjten komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, duke folur për pjesën kushtuar zgjerimit në kuadër të kornizës shumëvjeçare financiare, që të mërkurën e ka propozuar Komisioni Evropian.
Thuhet se nga të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, vetëm Kosova nuk e ka formalisht statusin e vendit kandidat, për çka ka mbetur jashtë disa nismave në disa institucione të BE-së.
Referuar komisioneres Kos, Kosova nuk do të ketë pengesa për të përfituar nga mjetet financiare të BE-së, të dedikuara vendeve në procesin e zgjerimit, edhe në periudhën e ardhshme.
“Kur është fjala për Kosovën, ajo do të mbetet pjesë e këtyre instrumenteve financiare, siç ka qenë edhe deri më tani. Siç e dini, Kosova është tashmë edhe pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kos.
Ajo ka përsëritur atë që një ditë më herët e ka thënë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se zgjerimi është identifikuar si prioritet edhe në propozimin e buxhetit shtatëvjeçar të BE-së, që përfshin periudhën nga viti 2028 deri në vitin 2034.
“Zgjerimi nuk e bën Bashkimin Evropian vetëm me sipërfaqe më të madhe dhe me numër më të madh banorësh. Zgjerimi ka të bëjë me unifikimin e Evropës. Duke rritur mbështetjen për të gjithë ata që plotësojnë kushtet e anëtarësimit, ne jemi në rrugën e duhur për të bashkuar Evropën tonë”, ka theksuar Marta Kos.
Ajo ka theksuar gjithashtu se përdorimi i mjeteve të BE-së nga vendet e përfshira në procesin e zgjerimit do të jetë i kushtëzuar me përmbushjen e kritereve përkatëse, ndërsa vendet do të vlerësohen në bazë të meritave individuale.
Ka thënë se për momentin Mali i Zi dhe Shqipëria janë duke avancuar shumë shpejt, ndërsa pret që këtë rrugë ta ndjekin edhe vendet e tjera të rajonit.
Komisioni Evropian ka propozuar një kornizë buxhetore prej 2 trilionë eurosh, nga të cilat 200 miliardë do të jenë në kuadër të programit “Evropa Globale”. Kjo përfshin zgjerimin, fqinjësinë, ndihmën humanitare dhe ndihmën zhvillimore të BE-së në botë. Nga kjo shumë, për zgjerimin pritet të dedikohen 42.6 miliardë euro, që përbën një rritje domethënëse krahasuar me kornizën e tanishme financiare, për të cilën janë ndarë 31 miliardë euro. Po ashtu, 100 miliardë euro për ndihmë të veçantë për Ukrainën nuk janë pjesë e kësaj pakete.
Pas propozimit të Komisionit Evropian, do të pasojnë negociatat me Parlamentin Evropian dhe vendet anëtare, për të aprovuar këtë propozim. Afati i fundit për të arritur pajtimin është viti 2027, kur përfundon edhe korniza aktuale financiare.
E-Diaspora
-
E zë gjumi në pompën e benzinës, me motorin ndezur – i merret patenta kosovarit Policët urdhëruan analiza gjaku dhe urine. Patenta e tij e shoferit u konfiskua dhe u dërgua... -
Aksident tragjik në Itali, humbin jetën dy të rinj shqiptarë -
Një urë mes rrënjëve dhe integrimit, një shtëpi e përbashkët e besimit dhe kulturës -
Melisa Leka, shkëlqen në serialin ndërkombëtar “Dark Side of the Ring” -
Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani
Jeta në Austri
-
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti Vjena ul emetimet e CO₂ me 5.8%, duke tejkaluar mesataren e Austrisë. Politikat e forta për... -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa










