Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë sonte një ndërtesë të një kompanie në zonën industriale të Prishtinës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, njoftoi se incidenti ndodhi rreth orës 20:00 dhe, megjithëse flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha, fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
“Menjëherë pas pranimit të informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes. Zjarrfikësit janë duke punuar me intensitet për ta lokalizuar zjarrin. Sipas vlerësimeve fillestare, dëmet janë të mëdha, ndërsa nuk raportohet për të lënduar,” deklaroi Borovci për Insajderin.
Ai shtoi se hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe rrethanat që lidhen me rastin. Ndërkohë, qytetarëve u bëhet thirrje që të mos kalojnë në zonë, për të siguruar qarkullimin e lirë të zjarrfikësve dhe për të ruajtur sigurinë e tyre.
“Policia kërkon nga qytetarët që të shmangin lëvizjet përreth vendit të ngjarjes derisa ekipet emergjente janë në aksion,” theksoi Borovci.