Shqipëria

Jo vetëm deti, edhe Parku Kombëtar i Butrintit me rekord vizitorësh në Shqipëri

Ai ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet në brigjet e detit Jon

Parku Kombëtar i Butrintit ka regjistruar një numër rekord vizitorësh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.

Në periudhën janar-qershor 2025, Butrinti mirëpriti 105,615 vizitorë. Krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, kjo shifër përkthehet në 71% më shumë vizitorë dhe në 76% më shumë të ardhura.

Këto shifra janë një tregues i qartë i rëndësisë dhe potencialit të jashtëzakonshëm që ka trashëgimia jonë kulturore dhe natyrore. Butrinti, përveç se është krenari kombëtare, është gjithashtu në listën e pasurive botërore të UNESCO-s.

Ai ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet në brigjet e detit Jon, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000-vjeçar.

Ky park është një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushore dhe kodrinore, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrënojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në shekullin IV para erës sonë. Për këtë arsye, pjesa arkeologjike e saj në Gadishullin e Butrintit është shpallur pjesë e UNESCO-s që në vitin 1999, gjë që rrit më tej atraksionin ekoturistik.