Lajme

Virusi Mpox mund të infektojë qelizat e trurit, zbulojnë studiuesit zviceranë

Një studim i ri nga Universiteti i Bernës tregon se virusi Mpox mund të infektojë edhe trurin e njeriut dhe të dëmtojë qelizat nervore.

Me rritjen globale të rasteve me Mpox, këto rezultate janë me rëndësi të madhe, sipas Universitetit të Bernës dhe Institutit të Virologjisë dhe Imunologjisë (IVI). Studimi tregon se virusi, i njohur më parë si lia e majmunëve, mund të shkaktojë vdekje të qelizave të trurit.

Çfarë tregoi studimi?

Nga analizat e realizuara me organoide të trurit (mini-tru laboratorik të rritur nga qeliza burimore njerëzore), u vu re se virusi Mpox shpërndahej nga një qelizë te tjetra, duke shkaktuar trashje të ngjashme me ato që vërehen te sëmundjet neurodegjenerative si Alzheimer. Këto trashje çojnë më pas në vdekjen e qelizave nervore.

Përdorimi i ilaçit antiviral tecovirimat rezultoi efektiv, pasi uli ndjeshëm ngarkesën virale në organoidet e trurit.

Fakte shtesë mbi Mpox:

  • Sëmundja zakonisht shfaqet me simptoma të ngjashme me gripin dhe puçrra në lëkurë.

  • Nga viti 1985 deri në 2021, rreth 3% e të infektuarve zhvilluan simptoma neurologjike si epilepsi apo encefalit; disa raste përfunduan me vdekje.

  • Shkalla reale e ndikimit të virusit në sistemin nervor qendror ende nuk kuptohet plotësisht.