Lajme

Liderët evropianë dënojnë sulmin në Graz

Një valë solidariteti dhe ngushëllimesh ka ardhur nga mbarë Evropa pas sulmit të rëndë që ndodhi në një shkollë në qytetin Graz të Austrisë, ku raportohet se kanë humbur jetën të paktën 10 persona. Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur reagime të menjëhershme nga liderët evropianë, transmeton albinfo.ch.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se është i “tmerruar nga lajmi për të shtënat në shkollën në Graz”, duke e quajtur këtë akt “të pakuptimtë” në një vend ku fëmijët duhet të ndihen të sigurt. “Mendimet e mia në këtë moment të vështirë janë me familjet dhe miqtë e viktimave,” shtoi ai.

Kancelari gjerman Friedrich Merz shkroi: “Lajme të tmerrshme nga Grazi. Mendimet tona janë me miqtë dhe fqinjët tanë austriakë.” Edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, përmes zëdhënësit të tij, u shpreh: “Mendimet tona janë me secilin të prekur dhe me popullin e Austrisë.”

Ngushëllime të ngjashme erdhën edhe nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili tha: “Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave”, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri çek, Petr Fiala, e cilësoi ngjarjen si “tragjike dhe jashtëzakonisht të dhimbshme”. “Është tronditëse kur ndodh diçka e tillë  veçanërisht në një vend që synon të simbolizojë sigurinë”, tha ai, duke shtuar se ngushëllimet e tij të sinqerta shkojnë për të gjithë të dashurit e viktimave.

Edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, u bashkua me mesazhet e solidaritetit: “Shkollat duhet të jenë fenerë të të mësuarit dhe shpresës, ku çdo fëmijë ndihet i sigurt. I shpreh ngushëllimet tona të përzemërta popullit të Austrisë.”

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij sulmi vazhdojnë, ndërkohë që autoritetet austriake kanë shtuar masat e sigurisë në institucionet arsimore në të gjithë vendin, transmeton albinfo.ch.