Lajme

Austria me qira gjithnjë e më të shtrenjta

Qiratë në Austri janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke arritur në një mesatare prej 9.80 euro për metër katror në vitin 2023, krahasuar me vetëm 6 euro në vitin 2010. Vetëm gjatë vitit 2024, çmimet e qirasë janë rritur me 4.8 për qind, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit është rritur me vetëm 2.9 për qind, ka bërë të ditur Regina Fuchs nga Drejtoria e Statistikave të Popullsisë në Austri, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportit “Wohnen 2024”, rritja e ndjeshme e qirave po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës, veçanërisht në qytetet e mëdha. Në zonat urbane me mbi 100.000 banorë, jo vetëm që qiratë janë më të larta, por edhe kënaqësia banesore bie ndjeshëm kur shfaqen probleme si ndotja akustike apo cilësia e dobët e ajrit dhe ujit. Përqindja e banorëve që përballen me probleme të tilla është dyfish më e lartë në qytetet e mëdha krahasuar me zonat rurale.

Austria mban normën e dytë më të lartë të banesave me qira në Evropë,  46 për qind  menjëherë pas Gjermanisë me 53 për qind, ndërsa mesatarja e BE-së është 32 për qind. Vjena dallon veçanërisht me 78 për qind të banesave me qira, ndërsa Burgenland (22 për qind) dhe Austria e Poshtme (28 për qind) kanë përqindjet më të ulëta.

Nga gjithsej 4.16 milion banesa kryesore në vend, vetëm 48 për qind janë në pronësi të banorëve. Në apartamente me qira, hapësira mesatare e banimit është dukshëm më e vogël: 61 m² në banesat komunale dhe deri në 71 m² në ato me qira private, krahasuar me 147 m² për shtëpitë në pronësi, transmeton albinfo.ch.

Kohëzgjatja e kontratave të qirasë ndryshon ndjeshëm: 13.2 vjet në banesat komunale, 8.3 vjet në ato kooperative dhe vetëm 2.4 vjet në qiratë private  ku afro gjysma e kontratave janë me afat të caktuar.

Pavarësisht nga rritja e kostove, qiratë mbahen më të ulëta përmes strehimit social. Çmimet mesatare mujore të strehimit janë rreth 614 euro për familje. Në banesat komunale dhe kooperative, qiraja mesatare është rreth 8 euro për m², ndërsa në tregun privat arrin deri në 11 euro për m². Qiratë e reja, megjithatë, janë dukshëm më të larta, veçanërisht në Salzburg.

Raporti thekson gjithashtu një përkeqësim të ndjeshëm në shpërndarjen e qirave, me një rritje të qartë të pabarazisë. “Familjet individuale përballen gjithnjë e më shumë me kosto të larta qiraje,” thuhet në analizë.

Një faktor kyç në këtë situatë është rënia e lejeve për ndërtim. Në vitin 2024, janë dhënë vetëm 31.867 leje ndërtimi  një rënie drastike krahasuar me kulmin prej 71.805 lejesh në vitin 2017. Sipas statistikave zyrtare, nëse ky trend vazhdon, presioni mbi tregun e banesave pritet të rritet edhe më tej, duke çuar në çmime edhe më të larta për qiramarrësit, transmeton albinfo.ch.