Lajme

Zjarr në spital në Hamburg, 3 të vdekur dhe 50 të plagosur

Një zjarr i fuqishëm shpërtheu në orët e para të mëngjesit në Spitalin Marien në lagjen Hohenfeide të qytetit verior gjerman Hamburg, duke shkaktuar vdekjen e të paktën tre personave dhe plagosjen e 50 të tjerëve, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Zjarri filloi pak pas mesnatës në departamentin e kujdesit geriatrik të spitalit dhe u përhap shpejt duke mbuluar me tym të dendur të gjitha katet e ndërtesës. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur shkakun e nisjes së zjarrit.

Një numër i madh zjarrfikësish dhe personel emergjence u angazhuan për të shuar flakët dhe për të evakuuar pacientët në siguri. Disa prej të plagosurve po trajtohen në departamentin e urgjencës së Spitalit Marien, ndërsa të tjerët u dërguan në spitale të afërta për trajtim të mëtejshëm.

Në orët e para të së dielës zjarri u vu nën kontroll dhe u shua nga ekipet zjarrfikëse. Hetimet për shkakun e zjarrit vazhdojnë, transmeton albinfo.ch.