Kosova
Kosova lëshon fletarrestim ndaj Radoiçiqit për krime lufte
Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar fletarrestim ndaj Millan Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë, të dyshuar për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.
Sipas dokumentit që mban datën e 15 prillit, të publikuar nga Reporteri.net, Radoiçiq – ish-nënkryetar i partisë së serbëve në Kosovë, Lista Serbe – akuzohet se ishte pjesë e një grupi serbësh që vranë 106 civilë shqiptarë, trupat e të cilëve më pas u gjetën në një varrezë masive në Serbi.
Nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kanë parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore për lëshimin e fletarrestimeve.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ne kërkesë ka cituar se me datë 18.03.2025 ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurve për shkak të dyshimit të arsyeshëm se në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur ‘Ura e Taliqit’ në Gjakovë nga data 7 maj e deri më date 10 maj te vitit 1999, pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policor serbe të uniformuar, në mesin e tyre edhe të pandehurit e lartcekur filluan të hynin shtëpi për shtëpi, ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezentë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe me pas i vranë gjithsej 106 civilë të nacionalitetit shqiptar dhe pas luftës trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Batajnice të Serbisë”, thuhet në arsyetimin e fletarrestimit.
Po ashtu, në dokument thuhet se ky grupi i personave, nga 7 maji i vitit 1999 deri më 10 maj të po atij viti kishte arrestuar dhe burgosur më shumë se 300 civilë shqiptarë, të cilët “u mbajtën në burgje të improvizuara, ku nuk kishin trajtim human duke iu munduar gjërat elementare, ushqimi i rregullt, higjiena dhe kujdesi mjekësor dhe më pas një pjesë e madhe e këtyre të burgosurve ishin dërguar në burgje të ndryshme të Kosovës”. Në fund, sipas Gjykatës Themelore, këta persona u liruan pas qershorit të vitit 1999, me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.
Për të gjithë të pandehurit që është lëshuar fletarrestim, autoritetet e Kosovës nuk e dinë adresën e tyre. Ndërkaq, në mesin e tyre është edhe Llazar Drashkoviq, ndaj të cilit veçse ka një urdhërarrest aktiv ndërkombëtar lidhur me masakrën e Mejës.
Ndryshe, Radoiçiq veçse kërkohet nga autoritetet e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023. Ai e mori përgjegjësinë për këtë sulm, ku u vra një polic i Kosovës, dhe gjerësisht besohet se gjendet i lirë në Serbi.
Kosova e cilëson këtë sulm si terrorist dhe akuzon Serbinë se ka gisht në të. Beogradi mohon çdo përfshirje.
Në Kosovë, për sulmin në Banjskë është ngritur edhe një aktakuzë – ku përfshihet edhe Radoiçiqi – dhe ka nisur gjykimi ndaj tre të pandehurve për këtë rast, që gjenden në Kosovë. Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar ankesën që ndaj të pandehurve të tjerë për rastin Banjska të zhvillohet gjykim në mungesë.
Megjithatë, në Kosovë zhvillohen gjykime në mungesë për raste të krimeve të luftës. Këto lloj gjykimesh, sipas sistemit të drejtësisë në Kosovë, mund të zhvillohet vetëm me kusht që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për ta siguruar praninë e të akuzuarit.
Krimet e luftës në Kosovë deri më 2008 janë hetuar nga nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Dhjetë vjet më vonë, EULEX-i ia dorëzoi lëndët Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe gjykatave vendore.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./REL
E-Diaspora
-
Diaspora nis peticionin për mbledhjen e nënshkrimeve për zgjedhjen e Murat Jasharit president Inicohet peticion nga diaspora për kandidimin e Murat Jasharit për president... -
Zvicër
Shqiptari nga Kosova humb jetën në aksident trafiku në Zvicër -
Paris
Angelin Preljocaj në qendër të një mbrëmjeje artistike në Muzeun Luvër -
Lea Ypi zgjidhet anëtare e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave -
“The Guestkeepers” sjell mikpritjen kosovare në Zvicër: një fundjavë kulturore e pasur me dialog dhe interaktivitet
Jeta në Austri
-
Trupa e teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” shfaq me 27 prill vepren “Vojçeku” në Vjenë Një nga veprat më të fuqishme të teatrit evropian, “Vojçeku”, nga Georg Büchner, në adaptimin e... -
Austria planifikon rregulla më të rrepta për ofertat e kreditit online -
Nesër Maratona e Vjenës 2026: Këto rrugë do të mbyllen -
Austri
Brendon Ahmeti nga Austria përfshihet në listën e Forbes me start-upin Synaps -
Kostot e strehimit për studentët në Austri rriten në 586 euro në muaj












