Kosova
Deklarimi i pasurisë nga politikanët në Kosovë: Kush u pasurua e kush jo?

Çdo vit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) e Kosovës publikon pasurinë që zyrtarë shtetërorë deklarojnë se e posedojnë. Banesa, toka, vetura, para të gatshme… Ja çfarë duhet të dini nga deklarimet e fundit.
Në fund të marsit të vitit 2021, qeveria “Kurti II” nisi mandatin e saj të plotë – mandat të cilin po e vazhdon ende në detyrë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe 15 ministrat e tij, të gjithë kanë dorëzuar deklarimet e pasurisë këtë vit.
Sipas të dhënave në këto deklarime, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dukshëm më shumë para se kolegët e saj në llogari bankare.
Sa para të gatshme kanë anëtarët e kabinetit qeveritar?
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dukshëm më shumë para të gatshme të deklaruara këtë vit sesa kolegët e saj të kabinetit qeveritar. Nga të gjithë, vetëm ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim nuk ka deklaruar asnjë cent para të gatshme.
Megjithatë, qysh në deklarimin e parë në vitin 2021, kur ishte emëruar ministre, Rizvanolli kishte deklaruar mbi 191 mijë euro para të gatshme.
Ajo kishte deklaruar se këto para i kishte fituar gjatë angazhimeve të saj të mëhershme si konsulente dhe ligjëruese në organizata e institucione të ndryshme, si Agjencia gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Sa para kishin e sa kanë anëtarët e kabinetit qeveritar?
Shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar “Kurti II” kanë deklaruar më shumë para të gatshme sesa në vitin 2021, kur kishin nisur mandatin. Për katër prej tyre është e pamundur të bëhen krahasime të tilla pasi nuk janë deklaruar të dhëna në uebfaqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionsit.
Për shumicën prej tyre, pjesa më e madhe e të ardhurave vjetore vijnë nga pagat që marrin për pozitat që ushtrojnë.
Të ardhurat vjetore të anëtarëve të kabinetit qeveritar
Anëtarët e kabinetit qeveritar të Kosovës kanë deklaruar se shumica e të ardhurave vjetore të tyre vijnë nga pagat që marrin për pozitat e tyre. Minstrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar më së shumti të ardhura shkaku i mëditjeve për udhëtime zyrtare jashtë vendit.
Përveç parave të gatshme, zyrtarët shtetëtorë detyrohen të deklarojnë edhe pasurinë e paluajtshme në posedim të tyre dhe të familjarëve të afërt.
Sa u pasuruan anëtarët e kabinetit qeveritar gjatë këtij mandati?
Gjatë mandatit katërvjeçar të Qeverisë Kurti II, disa nga anëtarët e kabinetit qeveritar dhe të afërmit e tyre kanë shtuar pasurinë e paluajtshme. Më së shumti ka fituar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla – i cili ka trashëguar prona prej mbi 1.2 milion eurosh – dhe ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi – i cili, me bashkëshorten e tij, kanë investuar mbi 85 mijë euro.
Po politikanët e tjerë?
Pasurinë e tyre detyrohen ta deklarojnë edhe zyrtarë të tjerë publikë.
Në këtë listë hyjnë edhe zyrtarët e partive politike, si Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), presidentja Vjosa Osmani, si dhe Glauk Konjufca, i cili për katër vjet mbajti postin e kryeparlamentarit.
Sa para të gatshme kanë liderë politikë në Kosovë?
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se ka rreth dhjetë mijë euro në llogaritë e tij bankare, pak më shumë se disa prej figurave të tjera kyç në politikë në Kosovë.
Pasuria e tyre e deklaruar së fundi – sa u përket parave të gatshme në llogaritë e tyre bankare – dallon nga ajo që ishte deklaruar katër vjet më parë. Disa janë pasuruar, e disa kanë deklaruar dhjetëra mijëra euro më pak.
Sa para kishin e sa kanë disa politikanë?
Disa nga fytyrat kyç të politikës në Kosovë, si presidentja Vjosa Osmani, lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë deklaruar dukshëm më pak para tani sesa në vitin 2021.
Nga ta, vetëm Krasniqi i PDK-së ka deklaruar se nuk ka asnjë të ardhur tjetër vjetore, përveç pagës së zyrtarit publik.
Haradinaj i AAK-së, i cili deklaroi se më së shumti fiton nga qiratë që merr nga pronat e tij, vazhdoi të investojë në pasuri të paluajtshme edhe këto vitet e fundit.
Si verifikohet deklarimi i pasurisë?
Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007.
Pas përfundimit të procesit të deklarimit të pasurisë, APK-ja, përmes shortit, zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar.
Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri, dhe pastaj në baza vjetore.
Mosdeklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.
Deri më tash, asnjë nga zyrtarët që nuk e ka deklaruar pasurinë, nuk është dënuar me burgim.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua në fund të vitit 2022 me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor./REL
E-Diaspora
-
Shqiptari i zhdukur në Itali gjendet përmes helikopterit, në gjendje të rëndë Mediat italiane raportojnë se një shtetas shqiptar 44-vjeçar, i cili ishte zhdukur prej dy ditësh, u...
-
Fortune: Mira Murati ndër 50 gratë më të fuqishme në botë
-
Ylli Bajrami diplomohet në “Baruch College” në Nju-Jork
-
Aksident i rëndë në Itali me të vdekur, dyshohet për dy të rinj nga Kosova
-
Aksident në Itali, humb jetën 39-vjeçari shqiptar
Jeta në Austri
-
Austri: SPÖ dhe NEOS arrijnë marrëveshje për koalicionin e ri në Vjenë Vendimi për vazhdimin e bashkëpunimit mes Partisë Socialdemokrate (SPÖ) dhe NEOS në Vjenë u mor të...
-
Treni i ri veror “i gjumit” do të lidhë Vjenën dhe bregdetin kroat
-
Gjithçka që ndryshon në Austri nga muaji qershor
-
Austri: Çmimet e shtëpive arritën mesatarisht 2,709 €/m² në 2024-ën
-
Dita Botërore kundër duhanit: 1.5 milionë austriakë pinë duhan çdo ditë