Xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka arritur një tjetër sukses të madh ndërkombëtar, duke u shpallur kampione e Evropës në kategorinë deri në 52 kilogramë. Gara u mbajt të mërkurën në Podgoricë të Malit të Zi, ku Distria fitoi medaljen e artë pas një paraqitjeje dominuese, transmeton albinfo.ch.
Në finalen e madhe, ajo mposhti kampionen në fuqi të botës, italianen me përvojë Odette Giuffrida, duke realizuar dy herë teknikën “Yuko” dhe duke vulosur fitoren. Kjo është hera e tetë që Distria del fituese ndaj Giuffridës, në një rivalitet të gjatë me 12 përballje në total.
Ky është titulli i tretë evropian për 29-vjeçaren kosovare; ajo më parë kishte triumfuar në Lisbonë më 2021 dhe në Zagreb më 2023, ndërsa në vitet e kaluara ka fituar edhe dy medalje të argjendta dhe dy të bronzta në kampionate evropiane.
Rruga drejt finales ishte mbresëlënëse. Në raundin e parë, ajo dominoi ndaj serbes Milica Nikoliq, duke e detyruar kundërshtaren të marrë tri dënime dhe duke fituar me ippon. Në çerekfinale, e mposhti holandezen Naomi van Krevel me një “Yuko” dhe më pas me ippon pas vetëm 1 minute e 5 sekonda. Ndërkohë, në gjysmëfinale, fitorja ndaj spanjolles Ariane Toro Soler erdhi pas një tjetër hedhjeje mjeshtërore, vlerësuar me ippon pas 1 minute e 21 sekonda.
Me këtë triumf, Distria siguron një tjetër kapitull të artë për sportin e Kosovës, ndërsa Kampionati Evropian i vitit 2025 tashmë konsiderohet i suksesshëm për përfaqësuesen kosovare.
E arta e Podgoricës është vetëm suksesi më i fundit i Krasniqit, e cila tashmë numëron edhe një medalje të artë dhe një të argjendtë olimpike, transmeton albinfo.ch.