Lajme
Deputetët gjermanë miratojnë planin masiv të investimeve për ushtrinë dhe ekonominë
Ligjvënësit gjermanë miratuan të martën planin e madh të investimeve të kancelarit të ardhshëm, Friedrich Merz, për të riarmatosur dhe modernizuar Gjermaninë përballë tronditjeve gjeopolitike globale. Ky projektligj duhet ende të miratohet nga Bundesrat-i, dhoma që përfaqëson rajonet, të premten, transmeton albinfo.ch.
Paketa, me vlerë disa qindra miliardë euro për mbrojtjen dhe ekonominë, e cila kërkon zbutjen e rregullave të borxhit të përcaktuara në kushtetutën gjermane, u miratua nga 513 deputetë, ndërsa 207 abstenuan.
Plani përfshin lehtësimin e të ashtuquajturit “frenë borxhi,” i cili kufizon kapacitetin e huamarrjes, si për shpenzimet ushtarake ashtu edhe për rajonet. Përveç kësaj, do të krijohet një fond i veçantë, jashtë buxhetit, prej 500 miliardë eurosh për një periudhë 12-vjeçare, për të modernizuar infrastrukturën dhe për të nxitur rimëkëmbjen e ekonomisë më të madhe të Europës, e cila prej dy vitesh ndodhet në recesion. Nën presionin e ambientalistëve, 100 miliardë euro do të destinohen për mbrojtjen e klimës. Plani gjithashtu do të mundësojë çlirimin e 3 miliardë eurove në mbështetje ushtarake të vonuar për Ukrainën.
Kundër “luftës ndaj Europës”
Duke folur përpara Bundestagut, dhomës së ulët të parlamentit, Friedrich Merz i bëri thirrje deputetëve që të miratojnë këtë paketë të paprecedentë investimesh për të kundërshtuar “luftën e Rusisë ndaj Europës.” Kjo është “një luftë kundër Europës, jo vetëm kundër integritetit territorial të Ukrainës,” deklaroi udhëheqësi i kampit konservator CDU/CSU, duke përmendur sulmet kibernetike dhe sabotimet e infrastrukturës që i atribuohen Rusisë.
Kancelari i ardhshëm e përshkroi gjithashtu këtë plan si “hapin e parë të madh drejt një bashkësie të re evropiane të mbrojtjes,” që do të përfshijë edhe “vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian,” si Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia.
“Bëhet fjalë për t’i dhënë një drejtim të ri historisë së vendit tonë, një rilindje pozitive për Gjermaninë, një rilindje pozitive për Europën,” u shpreh përpara deputetëve edhe kryetari i SPD-së, Lars Klingbeil.
Hapi i radhës të premten
Për të hyrë në fuqi, teksti duhet të marrë miratimin edhe nga Bundesrat-i të premten. Komisioni i buxhetit i Bundestagut pritet të aprovojë zyrtarisht alokimin e këtyre fondeve menjëherë pas votës së Bundesrat-it, sipas burimeve parlamentare.
Shpenzimet e mëdha të investimeve do të shoqërohen me kursime në të gjitha nivelet dhe reforma të mëdha, që pritet të vënë në provë koalicionin e madh të ardhshëm.
E-Diaspora
-
A do të bëhen më të lira produktet kosovare në Zvicër? Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA ka hyrë në fuqi më 1 tetor. Importuesit presin ulje... -
Përleshje në një hotel në Zvicër, plagoset me thikë 24-vjeçari nga Kosova -
Hapet një pikë e re e Shkollës Shqipe në Landquart të Zvicrës -
Kontrolli i Doganës në Gjermani zbulon dy punëtorë pa dokumente, arrestohet shqiptari -
Pianistja shqiptare Ardita Statovci interpreton në konferencën e parë të WMTA-së në Washington
Jeta në Austri
-
Universiteti i Vjenës mbetet në 100 më të mirët në botë për të dytin vit radhazi Universiteti i Vjenës e ka ruajtur vendin e 95-të në renditjen më të fundit botërore të... -
Austri
Lehtësohet konvertimi i patentave të Kosovës në Austri -
Formacionet e Austrisë dhe Kosovës për ndeshjen e sotme -
Trajneri i Austrisë: “Na pret një ndeshje e vështirë ndaj Kosovës” -
Masa të rrepta sigurie për ndeshjen Austri–Kosovë në Vjenë












