Bota
Sa para duhet për tu rimëkëmbur nga dëmet e luftës në Ukrainë
Studimi vlerëson dëmin e drejtpërdrejtë fizik ndaj ndërtesave dhe infrastrukturës tjetër, ndikimin në jetën e njerëzve, dhe koston e “rindërtimit më të mirë”
Kostoja e përllogaritur e rimëkëmbjes së ekonomisë së Ukrainës pas pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia ka arritur në 524 miliardë dollarë, gati trefishi i prodhimit të saj të pritshëm të 2024-tës, kanë ardhur në përfundim Banka Botërore, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Komisioni Evropian dhe Qeveria e Ukrainës.
Një studim i ri nga institucionet përfshiu të dhëna nga nisja e pushtimit rus, tre vjet më parë, deri më 31 dhjetor 2024, përfshin një rritje prej 70 për qind të dëmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës nga sulmet ruse.
Ai shfaqi një rritje prej mbi 7 për qind nga përllogaritja e fundit prej 486 miliardë dollarësh, një vit më parë, teksa banimi, transporti, energjia, tregtia dhe arsimi u cilësuan sektorët më të prekur, raporton Reuters.
Studimi vlerëson dëmin e drejtpërdrejtë fizik ndaj ndërtesave dhe infrastrukturës tjetër, ndikimin në jetën e njerëzve, dhe koston e “rindërtimit më të mirë”, thanë institucionet në një komunikatë të përbashkët për media, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.
Presidenti amerikan, Donald Trump, po bën përpjekje për t’i dhënë fund luftës përmes bisedimeve të ndara me Rusinë dhe Ukrainën, dhe u ka thënë gazetarëve, gjatë një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron, se një marrëveshje mund të arrihet brenda javësh.
“Vitin e kaluar, rimëkëmbja e Ukrainës ka vazhduar të rëndohet për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Rusisë”, ka thënë kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal.
Qeveria ukrainase ka ndarë 7.37 miliardë dollarë për të adresuar nevojat më me prioritet më 2025, me mbështetje nga donatorët, por vazhdon të ketë një boshllëk financimi prej gati 10 miliardë dollarësh, u tha në komunikatën e përbashkët të institucioneve.
Llogaritja e fundit, duke përdorur një metodologji universale për llogaritjen e dëmeve dhe nevojave, gjeti se dëmet e drejtpërdrejta nga sulmet ruse në Ukrainë janë rritur në 176 miliardë dollarë, nga 152 miliardë dollarë sa raportoheshin në shkurtin e 2024-tës.
Rreth 13 për qind e pasurive të banueshme të Ukrainës janë dëmtuar apo shkatërruar, duke prekur mbi 2.5 milionë familje.
Raporti përmendi një rritje prej 70 për qind të dëmeve në sektorin e energjisë që nga llogaritja e fundit, e bërë një vit më parë, përfshirë prodhimin dhe shpërndarjen e rrymës dhe të ngrohjes lokale.
Sektorit të banimit i nevojiten rreth 84 miliardë dollarë për rimëkëmbje, ndërsa atij të transportit gati 78 miliardë. Sektorit të energjisë dhe minierave i duhen rreth 68 miliardë, atij të tregtisë dhe industrisë mbi 64 miliardë, ndërsa sektorit të bujqësisë mbi 55 miliardë dollarë.
Vetëm kostoja e pastrimit dhe menaxhimit të rrënojave u vlerësua se kap vlerën e rreth 13 miliardë dollarëve, u tha në raport.
E-Diaspora
-
Një destinacion që quhet Kosovë! Për mërgimtarin, Kosova nuk është thjesht destinacioni i pushimeve. Është adresa ku kthehet zemra, sado larg... -
Yll Gashi vazhdon aventurën me Bayern Munichun, rinovon kontratën deri në vitin 2028 -
Amerikë
Desarta Rapushaj përfundon me sukses programin prestigjioz Fulbright në “Michigan State University” -
Zvicër
Fillojeta Makshana shpallet më e mira në gjuhën gjermane në komunën e Payernit të Zvicrës -
Paradoksi i kohës sonë: Arritjet e grave rriten, por edhe dhuna në familje
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve












