Kriza në Ukrainë
Kundërshtarët e Putinit protestojnë në Berlin kundër luftës në Ukrainë
Kundërshtarët në mërgim të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe të luftës së tij të paprovokuar kundër Ukrainës, kanë protestuar në Berlin të Gjermanisë kundër luftës që nisi më 2022.
Sipas mediave gjermane, që cituan policinë në Berlin, afër 1.800 persona ishin të pranishëm në nisje të protestës. Shumë nga protestuesit mbajtën mesazhe sikurse “Jo luftës, Jo Putinit”.
Protesta u mbajt teksa opozita po përballet me vështirësi që të vazhdojë të ketë ndikim, pasi lideri i shquar opozitar, Aleksei Navalny, vdiq në shkurt në rrethana ende të paqarta teksa po vuante një dënim me burg.
Po ashtu, opozita ruse për dekada të tëra është përballur me shtypje, e cila është përshkallëzuar që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, gjë që ka shtyrë shumë kritikë të Putinit të largohen nga Rusia.
Protestuesit marshojnë rrugëve të Berlinit drejt Ambasadës ruse, që gjendet pranë Portës së Brandenburgut.
Protesta është bashkëorganizuar nga kritikët e Kremlinit, Ilya Yashin dhe Vladimir Kara-Murza, të cilët së bashku u liruan nga burgjet ruse gjatë një këmbimi të të burgosurve në muajin gusht.
Bashkëorganizatore e protestës është edhe e veja e Navalnyt, Yulia Navalnaya.
“Marshi synon të bashkojë të gjithë ata që kundërshtojnë luftën agresive të Vladimir Putinit në Ukrainë dhe shtypjen politike në Rusi”, thanë organizatorët përmes një deklarate.
Opozita tha se ata kanë tri kërkesa kryesore: “tërheqjen e menjëhershme” të trupave nga Ukraina, gjykimin e Putinit si “kriminel lufte” dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Rusi.
Gjatë protestës, Yashin u tha të pranishmëve: “Putini nuk është Rusia. Rusia nuk është ne. Ne jemi kundër luftës”, teksa protestuesit brohoritën slogane, sikurse “Rusia do të çlirohet” dhe “Liri për të burgosurit politikë”.
Para protestës, në rrjetet sociale pati mospajtime nëse në protestë duhet të përdoret flamuri i Rusisë.
Në njoftimin për protestën ishin përdorur fotografi nga një tubim i vitit 2014 në Moskë, kur ishte protestuar kundër marrjes së Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia. Megjithatë, kritikët thanë se ngjyrat e Rusisë janë diskredituar nga lufta brutale që po zhvillon vendi kundër Ukrainës.
Derisa kjo nxiti debat muajin e kaluar, Yashin deklaroi se “diskutimet për flamujt errësojnë qëllimin e ngjarjes që ne duam të mbajmë në Berlin”.
Zyrtarët ukrainas dhe të tjerët para mbajtjes së protestës u shprehën skeptikë.
Ambasadori ukrainas në Gjermani, Oleksiy Makeev, kritikoi vendimin duke e cilësuar si “ecje pa dinjitet dhe pa pasoja” dhe duke shtuar se ilustron “dobësinë” e opozitës.
Makeev, në një shkrim të publikuar në gazetën Zeit, argumentoi se tri figurat opozitare nuk po bëjnë mjaftueshëm për të mbështetur Kievin dhe për t’u bërë thirrje bashkëqytetarëve të tyre për të protestuar në Rusi.
Edhe Vitsche, një shoqatë e ukrainasve që gjenden në mërgim në Gjermani, tha se ngjarja “ka dështuar të përçojë një mesazh të qartë” të mbështetjes./ REL
E-Diaspora
-
Spanjë
Orkestra “Amadeus” triumfon në Spanjë, fiton çmimin kryesor “Grand Prix” Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare,... -
Londër
Hapet shkolla e dytë shqipe në Manchester -
Presidentja Osmani i ndan mirënjohje gazetarit veteran, Rexhep Rifati -
Winterthur
“Ne dhe Ata” sonte në Winterthur, komedia që prek realitetin e mërgatës -
Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë
Jeta në Austri
-
Afër Pashkëve, 8,300 lepuj ngordhin në trafikun rrugor në Austrinë e Poshtme Rreth Pashkëve, sezoni i çiftëzimit të lepujve arrin kulmin. Në këtë fazë veçanërisht aktive, trafiku rrugor... -
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik












