Kosova
Kosovë: Debate mes pozitës dhe opozitës për çmimet e energjisë
Përditësim i lajmeve ditore lidhur me seancën në Kuvendin e Kosovës
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka quajtur rezolutë koti rezolutën e PDK-së për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë dhe heqjen e bllok tarifës, përcjell albinfo.ch.
Ajo tha se me këto metoda nuk mund të ulet çmimi i energjisë dhe se opozita po tenton t’i mashtrojë qytetarët.
Bajrami akuzon Rizvanollin për manipulim: Po thoni se atyre që jetojnë në Gjermani e Zvicër s’iu ngrit çmimi i rrymës.
“Sikur të ishit të interesuar vërtet të diskutonit në nivel profesional për çështje të rregullimit dhe nga kanë ardhur kostot dhe si janë shpërndarë kostot, ju do ta ftonit ZRRE-në dhe do të bisedonit në nivel profesional për këto çështje. Mirëpo, ju nuk e keni këtë interesim, ju me rezoluta koti populliste, me metoda të cilat nuk ulet çmimi i energjisë, doni t’i mashtroni qytetarët që mund ta ulni çmimin e energjisë elektrike”, deklaroi ministrja.
Duke folur për propozimin e PDK-së për heqjen e bllok tarifës, Rizvanolli tha se me heqjen e bllok tarifës do të uleshin faturat për 4 mijë e 700 shtëpi, por se do të rriteshin faturat për shumicën e qytetarëve.
“Heqja e bllok tarifës do të thotë ulje e faturave për 4 mijë e 700 shtëpi që shpenzojnë shumë, por do të thotë rritje e faturës për shumicën dërrmuese të qytetarëve. Kjo është diçka që e kemi parë, e kemi provuar gjatë qeverisjes tuaj”, tha ajo.
Ajo tha se kjo është vërtetuar në vitin 2017, gjatë qeverisjes LDK-PDK.
“Në vitin 2017 kur LDK dhe PDK me insistim dhe ndërhyrje politike, kanë ndërhyrë në ZRRE për ta hequr bllok tarifën, 80 përqind e familjeve kanë pasur rritje të konsumit të energjisë, ndërsa 20 pëqindëshi që kanë shpenzuar më shumë, vetëm ata kanë pasur ulje. Kjo është çfarë do të ndodhte, këto janë shifrat Pikërisht është kjo heqje e bllokut që na ka sjellë deri te eskplodimi i kërkesës për energji në masa jonormale, pa nxitje të eficiencës”, tha Rizvanolli.
Kusari-Lila: Është fakt evident se ka dyshime për faturim jo të saktë të rrymës
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e konsideron joserioze rezolutën e opozitës në seancën e jashtëzakonshme për energjinë elektrike. Fillimisht, ajo përmendi zbatimin e vendimit në katër komunat veriore, për të cilin tha se për herë të parë po e heq barrën nga buxheti i shtetit.
Ajo tha se kërkesa e sotme për seancën e jashtëzakonshme nuk përmban asnjë risi, por është përsëritje e kopje.
“Fillimisht do duhej të flisnim për zbatimin e energjisë në katër komunat e vendit. Kjo situate e re është hera e parë që zbatohet në kuptimin e mbushjes së obligimit qytetarë, e po ashtu kemi heqjen e barrës nga buxheti i shtetit. Nuk përmban asnjë risi, por kopje e përsëritje e të njëjtave kërkesa nga vitet e kaluara, kur situata me rrymë ishte më dramatike”.
Shefja e GP të VV tha se Qeveria po vazhdon t’iu qëndrojë afër qytetarëve e, sipas saj, kjo rezolutë e prezantuar nuk është aspak serioze.
“Rezoluta e prezantuar nuk është serioze nuk bën zgjidhje. Zgjidhjet e vetme që i keni ofru janë: seanca të jashtëzakonshme, komisione për sektorin e energjisë në mesin e krizës dhe keni abstenuar në zhvillimin e politikave për sektorin e energjisë”, tha Kusari-Lila para deputetëve.
“Sfidat shumë vjeçare të këtij sektori janë edhe përgjegjësi e juaja nga tëre dekada e fundit. Përkundër abstenimit tuaj në këtë proces pozita dhe qeveria kanë qenë seriozisht të angazhuar për tu përballuar me situatën e vështirë energjetike”, tha Kusari-Lila.
“Se ka dyshim për faturim jo të saktë është fakt evident për të cilin qytetarët duhet t’i drejtohen KESCO-s dhe ZRRE-së. Përderisa ne si ligjvënës kemi mundësinë të ftojmë ZRRE-në për të raportuar mbi procesin e shqyrtimit të ankesave të qytetarëve dhe masat e ndërmarra ndaj furnitorit KESCO, gjithashtu duhet të jemi pjesëmarrës aktiv në shqyrtimin e rregullt tarifor. Për informatën tuaj, furnitori i shërbimit universal deri më 22 janar të dhënat me koston aktuale ndërsa më së largu me 5 shkurt ZRRE duhet të njoftojë lidhur me vlerësimin e tyre për propozimet e marra”, tha shefja e deputetëve të VV-së në seancën e jashtëzakonshme për energjinë.
Tahiri: Kuvendi t’i rekomandojë ZRRE-së uljen e çmimit të rrymës
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka pyetur qeverinë se si është e mundur që faturat e rrymës të vijnë me çmime aq të larta kur një megavat vitin e kaluar në tregjet ndërkombëtare ka mundur të blihet dy herë më lirë.
“Si Kuvend kemi thirr një seancë të jashtëzakonshme me një temë e një kërkesë që opozita e adreson te ky Kuvend, e që ndërlidhet me një përgjigje që ne duhet ta japim si Kuvend i Kosovës a mendojmë që çmimi i energjisë elektrike është i lirë apo i shtrenjtë”, ka thënë Tahiri në foltoren e Kuvendit.
Ai po ashtu tha që si Kuvend duhet të rekomandojnë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë uljen e çmimit të rrymës.
Si Kuvend i Kosovës a duhet që t’i rekomandojmë një Institucioni Kushtetues ZRrE-së, qeverisë, për uljen e çmimit të energjisë duke e ditur që ky çmim është çmimi më i lartë që paguan qytetari i Kosovës në historinë e vet e po ashtu duke e ditur që në tregjet ndërkombëtare çmimi i blerjes së një megavati është më i lirë dy herë më shumë se në vitin që shkoi”.
“Pyetja ime për ju deputetë është: Qysh ka mundësi? A ka najkush që e shpjegon në këtë qeveri se sa është i rëndësishëm ky debat, shihet edhe prezenca e qeverisë me një ministër. Po a ka dikush që e shpjegon se qysh ka mundësi me e ble një megavat këtë vit dy herë ma lirë se para dy vjetësh e çmimi me qenë ma i shtrenjtë? Mbi çfarë baze është ky çmim i energjisë elektrike për konsumatorë, për qytetarët e Kosovës kur dihet që ka një marrëveshje sa kushton, sa i jep KEK-u çmimin KEDS-it?”, pyeti ai.
“Qysh ka mundësi të nderuar deputetë që njëri ndër premtimet kryesore me të cilat ju keni ardh në këtë qeveri dhe në këtë pushtet ka qenë që ta zbrisni çmimin e energjisë elektrike, bile kryeministri thoshte, po e citoj, ‘ne paguajmë shumë shtrenjtë duke pasur parasysh që flemë mbi qymyr’. Këtë e ka thanë kryeministri i Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Krasniqi: Ua dhatë qytetarëve nga 100 euro, pas dy ditësh ua morët përmes faturave të rrymës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria Kurti ua ka dhënë qytetarëve nga 100 euro dhe pas dy ditësh ua ka marrë përmes faturave të rrymës.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme ku po bëhet shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët, kreu i PDK-së ka thënë se faturat e muajit të kaluar e kanë tmerruar secilën familje.
“Faturat e muajit të kaluar e kanë tmerruar secilën familje. E këtu kemi zyrtarë të qeverisë që jetojnë në një tjetër realitet. A mund të na tregoni se sa janë rritur të hyrat dhe profiti e KEDS-it dhe KESCO-s në krahasim me qeverisjet e kaluara Ua keni dhënë nga 100 euro, pas dy ditësh ua keni marrë me fatura të energjisë”, ka thënë Krasniqi.
Tutje, ai ka thënë se kushdo që është i përfshirë në shtrenjtimin e energjisë elektrike, do të japë përgjegjësi.
“Jam i bindur se ky është krim i organizuar, jam i bindur se shumica prej jush nuk jeni në dijeni. Kjo është skemë kriminale në krye me Martin Berishajn, e kjo nuk bëhet pa dijeninë e Kurtit. Kjo do të dalë në shesh dhe të gjithë do të japin përgjegjësi”, është shprehur Krasniqi.
Në seancën e jashtëzakonshme sot në Kuvendin e Kosovës, është prezantuar propozim-rezoluta e PDK-së në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.
Kjo është rezoluta e propozuar nga PDK-ja për çmimin e rrymës
Kuvendi i Kosovës sot në një seancë të jashtëzakonshme po diskuton për çmimin e lartë të energjisë elektrike në vend, përcjell albinfo.ch.
Kjo seancë është thirrur me propozim të PDK-së, e cila ka përgatitur edhe një rezolutë që pritet të hidhet në votim në fund të debatit
Rezoluta me pesë rekomandime ka mbështetjen edhe të dy partive të tjera opozitare, LDK dhe AAK.
Rezoluta e plotë:
– I rekomandohet ZRRE-së të anulojë vendimin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe të marrë vendim për uljen e çmimit të saj në harmoni me rrethanat socio- ekonomike;
– I rekomandohet ZRRE-së që brenda afatit të arsyeshëm kohor të marrë vendim për anulimin dhe heqjen e blloktarifës për kualifikimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjar
-I rekomandohet ZRRE-së ndërmarrja e masave në raport me KESCO-n për sigurimin, trajtimin efektiv dhe të barabartë ndaj konsumatorëve që kanë parashtruar ankesë ndaj faturave të energjisë në muajin dhjetor 2023 dhe ankesave eventuale për vitin 2024;
– Obligohet Qeveria e Kosovës për marrjen e masave, vendimeve, veprimeve për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare;
– Kërkohet nga ZRRE-ja dhe Qeveria e Kosovës të njoftojnë Kuvendin për përmbushjen e pikave 1, 2, 3, si dhe 4 të kësaj rezolute.
E-Diaspora
-
KQZ nis vlerësimin e rreth 13 mijë votave të diasporës Fillon numërimi i votave të diasporës për raundin e dytë zgjedhor... -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit -
Londër
Rrëfimi i një vajze nga lufta në Kosovë prezantohet në London School of Economics -
Gjermani
Kevin doktoroi në Universitetin Teknik të Mynihut -
Suedi
Dy akademikë nga Kosova ndër më të spikaturit në universitetet suedeze
Jeta në Austri
-
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, në kuadër të festës së 28... -
A do të punonit në Austri për 2200 euro? -
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri









