Kriza në Ukrainë
Lajm i keq për Ukrainën, SHBA i ndal fondet
Kohë të zymta për Ukrainën. Një lajm që godet rëndë shpresat e Kievit për të çuar përpara ofensivën ushtarake vjen nga SHBA-ja, me Shtëpinë e Bardhë që ka lëshuar një paralajmërim të prerë se deri në fund të vitit nuk do të kenë më para në gjendje për të ndihmuar Kievin.
Alarmi është ngritur nga Shalanda Young, drejtoresha e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, në një letër drejtuar udhëheqësve të Kongresit të hënën, ku theksohet se dështimi i Kongresit për të miratuar paketën e rë të ndihmave do të “gjunjëzonte” Kievin.
“Pa veprime të Kongresit, deri në fund të vitit ne do të na mbarojnë burimet për të blerë më shumë armë dhe pajisje për Ukrainën dhe për të siguruar pajisje nga rezervat ushtarake të SHBA-së”, u shkruan Young liderëve politikë të të dyja partive.
“Nuk ka asnjë llampë magjike financimi për të përmbushur këto nevoja. Na kanë mbaruar paratë dhe pothuajse po na mbaron dhe koha. Nëse ekonomia e Ukrainës shembet, ata nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë të luftojnë. Putini e kupton mirë këtë, prandaj Rusia e ka vendosur shkatërrimin e ekonomisë së Ukrainës në qendër të strategjisë së saj – gjë që mund ta shihni në sulmet e saj kundër eksporteve të grurit dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës”, shton ajo, transmeton cnn, përcjell albinfo.ch.
Kërkesa e presidentit Joe Biden për 106 miliardë dollarë fonde emergjente për prioritetet e tij më të mëdha të politikës së jashtme, duke përfshirë Ukrainën, Izraelin dhe Indo-Paqësorin, mbetet në ngërç në Kapitol Hill, nxitur nga kundërshtimi në rritje i republikanëve për të ndihmuar Kievin.
Disa ligjvënës – veçanërisht në Senat, ku mbështetja për Ukrainën është më e madhe – po përpiqen të negociojnë një marrëveshje dypartiake që do të përmbajë ndihma për Kievin së bashku me procedurat e reja të imigracionit dhe azilit për të zvogëluar numrin e njerëzve pa dokumente që mbërrijnë në SHBA përmes kufirit të saj jugor.
Edhe nëse një marrëveshje arrihet në Senat, megjithatë, është e paqartë nëse ajo mund të kalojë Dhomën e udhëhequr nga republikanët, kryetari i ri i së cilës, Mike Johnson, ka qenë skeptik për financimin e Ukrainës.
“Ndërprerja e fluksit të armëve dhe pajisjeve amerikane do të gjunjëzojë Ukrainën në fushën e betejës, jo vetëm duke vënë në rrezik fitimet që ka arritur Kievi, por duke rritur gjasat për fitore ushtarake të rusëve”, i shkroi Young Kongresit.
Ndërkohë, njerëz të afërt me diskutimet në Kongres thanë për Financial Times: “Tashmë, paketat tona të ndihmës për sigurinë janë bërë më të vogla dhe dërgesat e ndihmave janë bërë më të kufizuara. Teksa aleatët tanë në mbarë botën janë ofruar të bëjnë më shumë, mbështetja e SHBA-së është kritike”.
Paralajmërimi i Shtëpisë së Bardhë vjen ndërsa vendet anëtare të BE-së po përpiqen të arrijnë një marrëveshje buxhetore në Bruksel që do të dërgonte 50 miliardë euro ndihma në Ukrainë.
Sakaq Young tha se paratë për Ukrainën do të sillnin përfitime për ekonominë amerikane. Konstatimet e saj vijnë në një kohë kur analizat e shifrave tregojnë se që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt 2022, Uashingtoni ka miratuar 111 miliardë dollarë ndihma për Kievin.
E-Diaspora
-
Hanover
Hannover Airport dhe ADAC korrigjojnë emërtimin e vendbanimeve të Kosovës Hannover Airport dhe ADAC njohin Kosovën si shtet të pavarur pas ndërhyrjes së Ambasadës... -
Ansambli “Arbëresha” festoi 22 vjetorin e themelimit -
Policia bastis një klub shqiptar për shkak të lojërave ilegale të fatit -
Rumani
Sopranoja Besa Llugiqi debuton në Operën Shtetërore të Bukureshtit -
Itali
Tragjedi në Itali, fqinji rrëfen si u gjetën të pajetë katër anëtarët e familjes shqiptare
Jeta në Austri
-
75,000 euro të marra nga kasaforta në Vjenë, vjedhja e shpikur Dy burra u arrestuan pafajësisht, një vjedhje me thyerje u sajua. Tani sistemi i drejtësisë po... -
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale












