Kosova
BE: Ambasada e Kosovës në Jerusalem, vendim fatkeq
Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje të martën për vendimin e Kosovës që të hapë ambasadën e saj në Jerusalem, qytet të cilin BE-ja e konsideron me status të pazgjidhur.
Peter Stano, zëdhënësi i bllokut evropian, ka thënë në një konferencë për media se Brukseli pret nga Kosova që të veprojë në bazë të deklarimeve për integrimet evropiane si qëllim strategjik.
“Në përgjithësi është gjithmonë e mirëseardhur kur parterët tanë të jashtëm normalizojnë raportet mes tyre. Por, kur është fjala e hapjes së ambasadës në Jerusalem, ky është një vendim për keqardhje i Kosovës, sepse e largon Kosovën nga qëndrimet e BE-së për statusin e Jerusalemit. Të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të BE-së dhe delegacioni i BE-së janë në Tel Aviv dhe kjo është në përputhje me rezolutën e Kombeve të Bashkuara dhe vendimet e Këshillit të BE-së. Statusi i Jerusalemit si kryeqytet i të dyja shteteve është qëndrim i BE-së, i cili nuk ka ndryshuar”, ka thënë Stano.
Në pyetjen se çfarë të drejte ka BE-ja të ftojë Kosovën të mos hapë apo të hapë diku ambasadën, kur Kosova nuk ka raporte diplomatike me BE-në dhe nuk ka delegacion diplomatik në BE, Stano ka përsëritur qëndrimin se për shkak të mosnjohjes nga pesë shtetet anëtare, nuk ka unitet rreth statusit të Kosovës, prandaj raportet me Kosovën janë çfarë janë dhe kontaktet si vend partner janë të rregullta.
“Ne nuk kërkojmë nga Kosova të bëjë apo të mos bëjë diçka. Por themi se nëse pretendoni se keni qëllim strategjik integrimin në BE, atëherë ekziston korniza në bazë të së cilës duhet të veproni. Pra, vetëm themi se ju duhet të veproni në bazë të asaj që vetë keni deklaruar”, ka thënë mes tjerash ai.
Duke thënë se “perspektiva evropiane e Kosovës është reale e jo abstrakte“, Stano ka folur për ndihmën financiare të deritashme të BE-së në Kosovë “që nga viti 2007 e deri më sot BE ka investuar gati 2 miliardë euro për të ndihmuar Kosovën, për të përmirësuar jetën e kosovarëve, infrastrukturën etj”.
“Nuk besoj se ndokush tjetër ka investuar aq shumë në Kosovë”.
Në pyetjet se pse BE nuk ka qenë kaq kritike ndaj Serbisë, e cila shumë rrallë mbështet qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, zëdhënësi i BE-së ka thënë se Serbia nuk e ka hapur ambasadën në Jerusalem, edhe pse e ka marrë obligim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai në rastin e Serbisë ka thënë se ajo duhet “gradualisht të përshtatë politikën e saj me BE-në”.
Kosova dhe Izraeli kanë formalizuar marrëdhëniet diplomatike më 1 shkurt.
Në një ceremoni virtuale të mbajtur të hënën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, kanë nënshkruar dokumentin, në të cilin thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.
Ministri izraelit, Ashkenazi, ka thënë se të dyja shtetet po bëjnë histori.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Kosova dhe Shqipëria në krye të kërkesave për bashkim familjar në Gjermani Pavarësisht shtrëngimit të politikave të imigracionit në Gjermani, qytetarët nga Kosova dhe Shqipëria mbeten ndër aplikuesit... -
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë -
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi” -
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve
Jeta në Austri
-
Vjenë: Procesi i votimit në ambasadë po vazhdon në mënyrë të rregullt Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë ka njoftuar se procesi i votimit është duke u zhvilluar... -
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri -
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë












