Kosova

Mustafa flet se kujt do t’i takojë posti i kryeministrit dhe presidentit

Kreu i LDK-së tha se nuk do të ketë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për bashkëqeverisje, pa ndodh certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se posti i presidentit ende nuk është diskutuar me VV-në, por do të futet si pjesë e marrëveshjes së koalicionit.

“Nuk kemi biseduar, por kjo çështje do të jetë e bisedave tona pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Tani qëndrimi ynë si LDK është që me Vetëvendosjen duhet të bisedojmë dhe t’i fusim marrëveshjet e koalicionit të gjitha pozitat për të cilat do të votohet në Kuvendin e Kosovës dhe në qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat ndodhin ose vinë gjatë 4 vjetëve të mandatit tonë të përbashkët qeverisës, që është edhe pozita e presidentit të Republikës.

Mund të jenë edhe pozita të tjera që lirohen ndërkohë gjatë asaj periudhe, por natyrisht se ne nuk do ta zgjedhim presidentin tash dhe as nuk do të merremi tani me zgjedhjen e presidentit, por tani do të merremi vesh si partnerë të koalicionit që në momentin kur do të sfidohemi me zgjedhjen e presidentit, të kemi një marrëveshje që bashkërisht t’i bëjmë votat dhe ta mundësojmë që ajo punë të kryhet në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Mustafa për EkonomiaOnline.

Ai beson se ky post duhet t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërkaq partia vendos nëse ai duhet të jetë kandidat.

“Kjo temë është bërë shumë e madhe. Ajo që unë jam shpreh në një televizion se do të ishte nder për mua dhe për çdo njërin që ta ketë besimin e Presidentit të Republikës së Kosovës, gjë që mendoj se është normale, mirëpo nuk kam thënë fare që tani unë kam pretendime.

Sepse për atë do të vendos partia ime në qoftë se ajo pozitë i takon LDK-së ose do të vendosë Vetëvendosja në qoftë se ajo pozitë i takon VV-së. Mirëpo, në një situatë normale Vetëvendosjes nuk mund t’i takojë dhe pozita e Kryeministrit edhe pozita Presidentit, sepse është shumë”, shtoi Mustafa, përcjell albinfo.ch.

“Prandaj në këtë aspekt unë këto çështje do t’i lë t’i diskutojmë më vonë. Por janë çështje të cilat shkojnë në pako, sepse duhet një baraspeshë e këtyre pozita të ekzistojë, sepse jemi shumë afër me VV-në si me vota, ashtu edhe me deputetë.

Prandaj nuk ka këtu fitues absolut të këtyre zgjedhjeve, por ka fitues relativ mbi bazën e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese dhe ajo parti që del e para ka të drejtë ta gëzojë mandatin dhe ta propozojë Kryeparlamentarin dhe natyrisht që ne do ta respektojmë”, përfundoi Mustafa.

Kreu i LDK-së tha se nuk do të ketë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për bashkëqeverisje, pa ndodhur certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

Mustafa ka folur për punën e grupeve punuese të dy partive për harmonizimin e programit qeverisësë.

Ai ka thënë se janë pajtuar në shumicën e temave, por që kanë mbetur edhe disa tema të hapura, të cilat do të përmbyllën ndërmjet dy liderëve politikë.