Shqipëria
SHBA-ja, në krah të Shqipërisë

E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses-Ones, tha sot se Reforma në Drejtësi theu kapjen e paligjshme të sistemit të drejtësisë dhe po ia kthen atë njerëzve.
“Sistemi i vjetër i drejtësisë ishte kapur shumë kohë më parë”, theksoi ajo në ceremoninë e hapjes së “Polit të Drejtësisë”, godinës që do të strehojë institucionet e drejtësisë së re, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Shkollën e Magjistraturës.
“Tani, një numër i madh – mbi 15 për qind – i gjyqtarëve dhe prokurorëve janë rivlerësuar. Disa kanë kaluar rivlerësimin dhe shumë kanë dështuar.
Kjo përfshin gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë se kjo tregon që rivlerësimi po funksionon dhe nënvizon se pse reforma në drejtësi ishte e nevojshme: Sistemi i vjetër i drejtësisë ishte kapur shumë kohë më parë. Ishte i kapur nga korrupsioni dhe nga ata që veprojnë në hije për të mbajtur Shqipërinë prapa. Reforma në drejtësi e theu atë kapje të paligjshme të sistemit të drejtësisë dhe po ia kthen atë njerëzve”, theksoi e ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Tiranë.
Moses-Ones bëri një bilanc të punës që prej 21 korrikut 2016.
“21 korriku i 2016 filloi me pritshmëritë e një votimi mëngjesi në Kuvend për reformat kushtetuese. Këto reforma kishin qenë në lëvizje për pothuajse dy vjet. Pas negociatave që zgjatën gjatë gjithë ditës, PD miratoi draftin. Kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Meta, falënderoi zotin Basha dhe zotin Rama dhe i vlerësoi për pjekurinë e tyre gjatë negociatave dhe tha se drafti ishte gati për t’u miratuar”, tha ajo.
“Votimi filloi pas mesnatës më 22 korrik. Ishte unanim – të gjithë votuan për të bërë këto ndryshime historike. Ky votim tregon se çfarë mund të bëjnë udhëheqësit e Shqipërisë kur punojnë së bashku për të mirën e përbashkët. Prej orës 1 të mëngjesit, Shqipëria kishte një të ardhme të re, sepse politikanët shqiptarë kishin vizionin për të luftuar së bashku korrupsionin dhe për të ecur përpara drejt realizimit të ëndrrave të pranimit në BE”, nënvizoi ajo.
“Kjo ishte tre vjet më parë. Shumë gjëra kanë ndodhur që atëherë. Shqipëria miratoi ligje për zbatimin e Kushtetutës dhe më pas krijoi një Komision dhe një Kolegj Apelimi për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingun). Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara krijuan Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Ky model i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka qenë themeli për pjesën tjetër të reformave që duhet të ndodhin”, theksoi e ngarkuara me punë e Ambasadës amerikane në Tiranë.
“Tre vjet pas atij votimi në mesnatë, tani kemi një Këshill të Lartë të Prokurorisë dhe një Këshill të Lartë Gjyqësor. Ata përbëhen nga gjyqtarë, prokurorë dhe anëtarët jogjyqtarë dhe joprokurorë. Këshilli i Lartë Gjyqësor po punon për të përtërirë Gjykatën e Lartë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka qenë duke punuar për gurin e çmuar të kurorës së reformave: krijimin e SPAK-ut. Të dy Këshillat janë të ngarkuar me ndërtimin e një sistemi efektiv qeverisjeje për të përmirësuar efikasitetin, për të shtuar llogaridhënien dhe për të rikthyer besimin e shqiptarëve në sistemin e drejtësisë. Ne qëndrojmë përpara një ndërtese të re që së shpejti do t’i japë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Shkollës së Magjistraturës një shtëpi të re e moderne”, theksoi ajo.
“Kjo godinë së shpejti do të shohë një Shqipëri me gjyqtarë dhe prokurorë të aftë dhe me etikë. Do të shohë një Shqipëri me SPAK-un dhe BKH-në që bëjnë pjesën e tyre për ta çliruar këtë vend nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Ndërsa shqiptarët do ta shohin këtë ndërtesë si një simbol të suksesit të reformës në drejtësi. Prokurorët e rinj që betohen sot do të shohin ndryshime të mëdha në Shqipëri përgjatë jetës së tyre.
Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar krah Shqipërisë dhe i kanë nxitur këto ndryshime të mëdha. Ne qëndruam krah Shqipërisë kur reformat u miratuan njëzëri tre vjet më parë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë kur filloi rivlerësimi dhe ndërsa ka pastruar sistemin e drejtësisë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë gjatë krijimit të Këshillave të Gjyqësorit dhe të Prokurorisë. Ne jemi duke qëndruar krah Shqipërisë ndërsa po ngrihet SPAK-u. Jini të sigurt, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Shqipërisë, ndërsa Reforma në Drejtësi i jep një formë të re të ardhmes tuaj”, përfundoi Leyla Moses-Ones, shkruan ATSH, përcjell Albinfo.ch.
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Lorena Kengji: Arti si një mënyrë për të qëndruar e lidhur me veten Më 10 dhe 11 maj 2025, në Kreuzlingen u mbajt një ekspozitë e veçantë artistike, ku...
-
Promovohen dy libra të krijuesit, Brahim Avdyli
-
Arrestohet 18 vjeçari shqiptar në Itali, mbante mbi 220 doza kokaine në xhep
-
Vjenë: Mbi 190 profesionistë shqipfolës nga e gjithë Evropa në eventin e Illyrian Brains
-
Ulen dënimet e kosovarëve të akuzuar për skllavërim të grave: Mungojnë faktet
Jeta në Austri
-
Gjërat që nuk mund t’i mbani në makinën tuaj në Austri Kur bëhet fjalë për ngasjen në Austri, nuk duhet të keni kujdes vetëm për rregullat e...
-
Austriakët arritën rekord prej 27.5 milionë udhëtime pushimesh
-
Domethënia e zgjedhjeve të Vjenës për të huajt, sezoni i alergjive dhe ngjarjet kryesore të javës në Austri
-
Vjenë: Mbi 190 profesionistë shqipfolës nga e gjithë Evropa në eventin e Illyrian Brains
-
Hetimi për aksidentin ajror në Graz në 2024 i kalon Zvicrës