Shkurt.ch

1300 fëmijë të keqtrajtuar përfundojnë në spitale

Në në 78% të rasteve personi që ka keqtrajtuar ka qenë pjesëtar i familjes ndërsa në 14% të rasteve ai ka qenë nga rrethi i të njohurve

Gjatë vitit 2013 në Zvicër janë shënuar 1292 raste të keqtrajtimit të fëmijëve që kanë përfunduar në spital. Ky numër e tejkalon për 13 për qind atë të një viti më parë. Këtë njoftim e ka bërë publik sot Grupi i ekspertëve për mbrojtjen e fëmijëve i Shoqatës Zvicerane për Pediatri.

Grupi i përmendur konstaton se rritja e përqindjes shpjegohet më shumë me sensibilizimin e ngritur të personave kompetentë dhe me përfshirjen më të mirë të rasteve. Kësaj here në regjistrimin e tyre kanë marrë pjesë pothuajse të gjitha klinikat e mëdha dhe të mesme të Zvicrës.

Rreth një e katërta e fëmijëve janë keqtrajtuar fizikisht. Një e katërta tjetër kanë pësuar keqtrajtime psikike ose nuk kanë gëzuar kujdesin e duhur. Ndërsa më shumë se një e pesta e këtyre fëmijëve kanë pësuar edhe keqtrajtim seksual.

Ndodh shpesh që fëmijët të jenë keqtrajtuar në më shumë se një mënyrë. Më shumë se gjysma e viktimave kanë qenë më të rinj se gjashtë vjeç. Ndërkaq, më së shumti të keqtrajtuar kanë qenë fëmijët më të vegjël se një vjeç. Abuzim seksual kanë përjetuar kryesisht fëmijët e gjinisë femërore (në 76 për qind të rasteve), ndërsa sa u përket keqtrajtimeve tjera, përfaqësimi i gjinive ka qenë i barabartë.

Në të shumtën e rasteve, në 78% të tyre, personi që ka keqtrajtuar ka qenë pjesëtar i familjes ndërsa në 14% të rasteve ai ka qenë nga rrethi i të njohurve. Në rastet e abuzimeve seksuale pjesëmarrja nga rrethi familjar ka qenë pak më e ulët, shkruan srf.ch. Ky lloj abuzimi është bërë kryesisht nga meshkujt.

Marrë në përgjithësi, në 28 për qind të rasteve ushtruese të keqtrajtimit kanë qenë femrat.

Nga numri i madh i keqtrajtimeve të raportuara të fëmijëve, tre fëmijë kanë vdekur si pasojë e dhunës.

Në mjaft raste të dhunës ndaj fëmijëve është ushtruar kallëzim penal ndaj personave që kanë ushtruar dhunë.