Shqipëria

Hapet konkursi për policë në Shqipëri. Ja çfarë kriteresh përmban

Nga data 3 korrik 2019, hapet procesi i aplikimeve për të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”.

Aplikimet do të dorëzohen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm. Procesi i aplikimit është i hapur deri më 3 gusht 2019 dhe formularët e aplikimit tërhiqen pranë çdo Drejtorie Vendore të Policisë.

Në përfundim të gjithë procesit të konkurrimit, kuota e pranimit do të ndjekin studimet në Kolegjin Profesional të Lartë “Kolegji i Policisë” për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë 500 kursantë, të ndarë në bazë të renditjes sipas pikëve të fituara në listën e rezultateve të arritura në fazat e konkurrimit. Kjo e ndarë në 2 kurse, në periudhat: Tetor 2019 – Prill 2020 dhe Maj 2020 – Nëntor 2020.

Përzgjedhja e kandidatëve do të realizohet përmes një procesi të drejtë, të paanshëm dhe transparent, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës dhe mosdiskriminimit.

KRITERET E APLIKANTIT

Kriteret që duhet të përmbushë aplikanti për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”:

– Të jetë shtetas shqiptar;
– Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
– Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
– Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
– Të ketë mbaruar arsimin e mesëm;
– Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
– Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje;
– Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.

DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM

Aplikantët për punonjës policie duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm për aplikim në Polici:
– Formularin e aplikimit;
– Fotokopje të kartës së identitetit;
– Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit;
– Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
– Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
– Certifikatë familjare;
– Vërtetim nga Gjykata;
– Vërtetim nga Prokuroria;
– Raport mjeko-ligjor;
– Fotokopje të librezës së punës ose vërtetim që ndjek arsimin e lartë (nëse i disponon);
– Dokument të lëshuar nga institucionet shëndetësore, që vërteton se nuk është përdorues i lëndëve narkotike;
– Mandat pagesa e tarifës së aplikimit.

PROCEDURA PËR PËRZGJEDHJEN E KANDIDATËVE

Për përzgjedhjen e kandidatëve, që do t’i nënshtrohen konkurrimit, do të ndiqen hapat e mëposhtëm:
– Dorëzimi i dokumentacionit nga aplikanti dhe dhënia e numrit të regjistrimit nga struktura vendore e burimeve njerëzore;
– Shqyrtimi i kritereve dhe dokumentacionit nga struktura vendore e burimeve njerëzore, nëse aplikanti plotëson kriteret e përcaktuara;
– Verifikimi paraprak i aplikantëve, për rekorde të mundshme kriminale;
– Njoftimi me shkrim nga struktura vendore i aplikantëve, që nuk plotësojnë kriteret për të vazhduar testimin;
– Dërgimi në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore i listës emërore të aplikantëve, që plotësojnë kriteret e përcaktuara;
– Hartimi i listës përfundimtare të aplikantëve, që plotësojnë kriteret dhe caktimi i kodit për çdo aplikant nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore;
– Pajisja e çdo aplikanti me formularin e pranimit dhe numrin personal nga strukturat vendore të burimeve njerëzore;
– Publikimi në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe në media për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të konkurrimit, si dhe listën e kandidatëve që kualifikohen për të konkurruar;
– Procesi i apelimit;
– Konkurrimi.