Kosova

Pse festohet Dita e Evropës në Kosovë?

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e fundit edhe në procesin e integrimit në BE dhe vendi i vetëm i papërfshirë në zonën e lëvizjes së lirë, pa viza, brenda shteteve të BE-së

Dita e Evropës është ditë ceremoniale, që shënohet më 9 maj të çdo viti, nga Bashkimi Evropian (BE), në njohje të paqes, prosperitetit dhe unitetit të arritur brenda Evropës, që nga formimi i kësaj organizate.

Kjo ditë, në vendet anëtare, shënohet duke vendosur flamurin e Evropës. Ndërsa nga ky vit, pos shënimit të ditës, 9 maji është bërë festë zyrtare dhe ditë pushimi në Luksemburg.

Por, pos këtij vendi të Bashkimit Evropian, 9 maji – Dita e Evropës – është festë zyrtare edhe në Republikën e Kosovës, dhe shënohet si ditë pushimi. Kjo edhe përkundër faktit se Kosova nuk është anëtare e Bashkimit Evropian. Aktualisht, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e fundit edhe në procesin e integrimit në BE dhe vendi i vetëm i papërfshirë në zonën e lëvizjes së lirë, pa viza, brenda shteteve të BE-së, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Në një diskutim të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, shefja e këtij dikasteri qeveritar, Dhurata Hoxha, faktin që “Dita e Evropës” është festë zyrtare në Kosovë, e ka cilësuar si dëshmi të pro-evropianizmit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Dita e Evropës” është vetëm një nga njëmbëdhjetë (11) festat zyrtare vjetore në Kosovë, sipas Ligjit për Festat Zyrtare, të cilat shënohen me ditë pushimi.

Përfshirjen e 9 majit në listën e festave zyrtare, e vlerëson si të gabuar dhe të panevojshme, Isuf Zejna nga organizata “Demokraci Plus”. Sipas tij, kjo dëshmon edhe joseriozitetin e institucioneve të Kosovës në bërjen e ligjeve.

“Mendoj se ka qenë një gabim që është përfshirë në kalendarin e festave zyrtare, Dita e Evropës, për shkak se ne nuk jemi vend i Bashkimit Evropian, nuk do të jemi edhe shumë vite të tillë. Edhe ashtu për shkak kompozicionit etnik, kemi shumë festa zyrtare kështu që fakti që e kemi edhe Ditën e Evropës, vetëm sa tregon sesa jo-serioz jemi si shtet në bërjen e ligjeve, dhe konsiderimin se sa ditë pushimi do t’i kenë punëtorët brenda vitit”.

Përderisa thotë se Ligji për Festat Zyrtare duhet të rishikohet, Zejna thekson se disa prej festave zyrtare sipas ligjit aktual, përfshirë edhe “Ditën e Evropës”, do të mund të bëheshin vetëm ditë të shënuara, pa pasur nevojë të pushohet.

Duke u lidhur me deklaratën e ministres Hoxha, se festimi i 9 majit “dëshmon pro-evropianitetin e Kosovës”, Zejna vlerëson se “pro-evropianizmi deklarativ” vë në pah mungesën e të arriturave, me të cilat do të krenohej shteti. Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk arrihet përmes festave zyrtare, por me reforma dhe zhvillim ekonomik.

Ndërsa, sipas Taulant Kryeziut, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), festat zyrtare si “Dita e Evropës”, udhëheqësit institucionalë i përdorin vetëm për retorikë politike dhe qëndrime pompoze. Në vend të kësaj, sipas tij, institucionet duhet përkushtohen në përmbushjen detyrave dhe obligimeve kontraktuale me BE-në.

Kryeziu mendon se nuk duhet të harxhohet energji në “festa zyrtare dhe data”, por të punohen në reformim, ku pos MSA-së theks të veçantë i vë edhe sistemit të drejtësisë.

Ligji i Festave Zyrtare në Republikën e Kosovës përshinë njëmbëdhjetë (11) festa zyrtare me dymbëdhjetë (12) ditë pushim (dy ditë të Vitit të Ri, 1 dhe 2 janar). Në mesin e këtyre festave, janë edhe: Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (9 prill); Dita e Punëtoreve (1 maj) dhe Dita e Evropës (9 maj).