Kosova
Taksa krijoi treg të ri, Kosova importon më së shumti nga Gjermania

Gjermania ka marrë tashmë vendin e parë për kah niveli i eksportit të mallrave në Kosovë. Ky shtet prin me produktet e saj në Kosovë që prej vendimit të Qeverisë se Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, më 21 nëntor të vitit të kaluar.
Para vendosjes së taksës, për dy dekada radhazi Serbia ka qenë shteti me sasinë më të madhe të mallrave në tregun e Kosovës, kurse tashmë radhitet e fundit.
Në muajin mars të këtij viti, sipas të dhënave publikuar në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksporti i produkteve të Serbisë në tregun e Kosovës ka qenë rreth 535 mijë euro, përderisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, vlera e mallrave të Serbisë që kanë hyrë në Kosovë ishte mbi 36 milionë euro.
Ky shtet në ditë ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro.
Ndërkaq, eksporti i mallrave nga Kosovë në këtë shtet në mars të vitit të 2018 ka qenë mbi 2 milionë euro, kurse muajin e kaluar eksporti në ka rënë në 1.5 milion euro.
Në anën tjetër, shteti i parë që prin në listë për nga vlera financiare, Gjermania, gjatë muajit të kaluar ka eksportuar mallra në vlerë mbi 40 milionë euro, ndërkaq një vit më parë kjo vlerë llogaritej në mbi 30 milionë euro.
Edhe zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë këtij viti, në vendin e parë nuk figuron Serbia, por Gjermania, pasuar nga Turqia, Kina, Maqedonia e Veriut dhe Italia, përcjell albinfo.ch.
Vlera e produkteve të prodhuara në Serbia që kanë hyrë në Kosovë gjatë këtij viti, sipas tij, është 1.8 milion euro kundrejt periudhës se njëjtë të vitit të kaluar, që ka qenë mbi 97 milionë euro.
“Nëse i krahasojmë tre muajit e parë të këtij viti me muajt e parë të vitit të kaluar, vlera e produkteve të Serbisë në tregun e Kosovës ka rënë për 98.2 për qind”, tha Stavileci.
Nga shtetet e rajonit, apo vendet anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë – CEFTA, vendin e parë për nga eksporti i mallrave për në Kosovë e mban Shqipëria.
Përfaqësues të bizneseve thonë se tanimë bizneset tregtare në Kosovë kanë gjetur alternativa të tjera të zëvendësimit të produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Sipas tyre, tregu është i mbuluar mirë me produktet e nevojshme nga vendet anëtare të CEFTA-s dhe Bashkimit Evropian.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar pesë muaj që nga vendosja e taksës, paradoks më vete po konsiderohet fakti që në tregun e Kosovës nuk vërehet ndonjë mungesë e produkteve të shtetit të Serbisë, e aq më tepër, përkundër taksës 100 për qind, çmimet kanë mbetur të njëjta sikurse para vendosjes së kësaj tarife.
Skender Krasniqi, kryetar në Odën e Afarizmit të Kosovës, në një bisedë për REL thotë se pas vendosjes së taksës është krijuar një treg i ri dhe mundësi e re për bizneset e Kosovës. Sipas tij, edhe konsumatorët janë duke u adaptuar në këtë treg.
Në anën tjetër, sa i përket faktit se nëpër dyqane e qendra tregtare, mallrat nga Serbia e Bosnja nuk janë pakësuar si pasojë e taksës, ai thotë se në bazë të kontakteve me afaristët, është theksuar se blerësit po i injorojnë produktet e prodhuara në Serbi.
“Produktet nga Serbia nuk po shiten. Edhe pse afaristët kanë pohuar se më nuk janë furnizuar me mall të ri nga Serbia, produktet në vitrina nuk janë duke u shitur, sepse vendosja e flamujve ka bërë që qytetarët të injorojnë atë produkt dhe të orientohen në produkte të reja të shteteve të tjera të rajonit dhe të Bashkimit Evropian”, thotë Krasniqi.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës përmes një udhëzimi administrativ kishte obliguar subjektet afariste që të vendosin flamurin e origjinës së produktit nëpër dyqane, në mënyrë që konsumatorët të njoftohen me origjinën e mallrave që blejnë.
Ndryshe, vendosja e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia, përveç efekteve ekonomike-tregtare, ka edhe efekte politike.
Qeveria e Kosovës, deri më tani, nuk është zmbrapsur nga ky vendim, edhe pas shumë kërkesave nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pezullimin apo anulimin të kësaj takse.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi po kërkojnë nga Prishtina zyrtare që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i cili është bllokuar që nga vendosja e taksës pesë muaj më parë.
E-Diaspora
-
Me helikopterë privatë nga Zvicra në Shqipëri dhe Kosovë Pas muajsh përgatitje, filloi aventura unike me tre helikopterë privatë, me synim të veçantë: të prekin...
-
AES fuqizon rolin e diasporës në teknologji dhe siguri
-
Gati 1 milion pasagjerë vetëm në muajin qershor, në Aeroportin e Tiranës
-
VLEN: Deklarata e Ali Ahmetit për regjistrimin është skandal, mërgata meriton përgjigje
-
Gjermani: Mërgimtari keqtrajton 17 vjeçaren nga Kosova
Jeta në Austri
-
Austria pritet të përballet me një valë të nxehti Pasi pjesa më e madhe e Evropës ka qenë në vapë të madhe, Austria është gati...
-
Austri: Prej 1 korrikut, kosto më të larta për këto shërbime
-
Austria do dyfishojë fondet për shëndetin mendor në shkolla pas tragjedisë në Graz
-
Rritje e interesimit për studimet mjekësore në Austri
-
Zjarr i madh në impiantin e riciklimit në Tirolin Lindor