Kosova
2019, vit i pafavorshëm për viza
Pavarësisht zotimeve të njëpasnjëshme të krerëve institucionalë se viti 2018 do të përmbyllej me liberalizimin e vizave për Kosovën, një gjë e tillë nuk ndodhi. Përkundrazi, ky proces sipas ekspertëve të procesit të integrimit rrezikon të mos finalizohet as përgjatë këtij viti. Kjo pasi që prej 1 janarit (2019) Rumania, e cila nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur, ka marrë “timonin” e presidencës së Bashkimit Evropian.
Por situata e pafavorshme për Kosovën nuk ndërlidhet vetëm me këtë çështje. Në vështirësimin e rrugëtimit për liberalizim, sipas njohësve të procesit të integrimit, do të ndikojnë zgjedhjet që pritet të mbahen për Parlamentin Evropian (PE) gjatë muajit maj. Në anën tjetër, zëvendëspresidenti i PE-së, Rainer Ëieland, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se nuk mund të premtohet kurrfarë datë se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën, shkruan Gazeta “Zëri”, përcjell albinfo.ch
Ëieland: Nuk mund t’ju premtoj datë për vizat
Pavarësisht faktit që nuk mund të jepet asnjë datë rreth liberalizimit, zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Ëieland, ka thënë gjatë ditës së djeshme ai do ta mbështesë Kosovën në këtë drejtim. “Parlamenti Evropian vitin e kaluar e ka miratuar dhe e ka votuar këtë me një shumicë dërrmuese. Në atë votim ka qenë edhe vota ime. Unë do t’ju mbështes juve, do t’ju përkrah që të mos ketë kushte të tjera që t’ju shtohen, përpos atyre që keni pasur. Por fatkeqësisht nuk mund të premtoj se kur do të bëhet kjo, pasi ka disa qeveri që nuk janë të bindura ende për ta përkrahur”, ka potencuar ai.
Ndërkohë, ka pohuar që një lloj pengese në këtë proces janë edhe zgjedhjet për PE-në, që pritet të mbahen gjatë muajit maj. Sipas tij, shtetet e BE-së kanë dilema të përziera sa i përket mbështetjes ose jo ndaj liberalizimit në kohë zgjedhjesh.
Gjasat që vizat të hiqen gjatë presidencës rumune, minimale
Teksa ka folur rreth liberalizimit të vizave, njohësi i proceseve integruese Besnik Vasolli ka shpjeguar arsyet se pse gjasat për heqje vizash gjatë kryesimit të Rumanisë janë tejet të vogla. “Shanset që liberalizimi i vizave të ndodhë gjatë presidencës rumune janë të vogla. Jo vetëm për arsyen që Rumania nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, por më shumë për faktin që zgjedhjet për Parlamentin Evropian mbahen në maj të vitit 2019 dhe shanset janë shumë të vogla që temat e kësaj natyre do të vendosen në prag ose gjatë zgjedhjeve”, ka deklaruar Vasolli.
Megjithatë, gjasat më të favorshme për Kosovën sipas tij janë gjatë presidencës së Finlandës.
Pavarësisht kësaj, kryesuesi i bordit ekzekutiv të institutit EPIK, Taulant Kryeziu, ka thënë se procesi i liberalizimit nuk është vonuar e as nuk do të shtyhet për shkak të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. “E mira e vendimmarrjes në procesin e vizave është se vendet mosnjohëse nuk e kanë atë fuqinë bllokuese të vendimmarrjes në kuadër të Këshillit, për arsye se nuk përbëjnë 35-përqindëshin e BE-së ose asaj që quhet pakica bllokuese”, ka theksuar ai.
Problem kyç në këtë proces, sipas tij, ka qenë dhe mbetet hezitimi i disa vendeve të mëdha, të cilat e kanë njohur Kosovën si shtet, siç janë Gjermania, Franca, Holanda e Belgjika.
Kryeziu gjatë bisedës ka konsideruar se krerët institucionalë të Kosovës nuk do të duhej të përmendnin data që ndërlidhen me heqjen e vizave. “Në kuadër të procesit të vizave nuk do të ishte mirë që askush prej institucioneve të spekulonte me aspektet kohore të datave, se ne e dimë që kemi Brexitin në mars, kemi zgjedhjet për Parlament në maj dhe nuk është momentumi i mirë që të përmenden data, por vetëm të koncentrohemi në punë dhe kryesisht në atë që është kriteri i dytë, në këtë rast luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbi të cilin ka hezitime nga disa vende të mëdha të BE-së”, ka theksuar Kryeziu.
Ndërkaq anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane (nga LVV), Ismajl Kurteshi, ka vlerësuar se kryesimi i Rumanisë mund të ndikojë tejet pak negativisht në procesin e vizave. “Sa i përket çështjes së kryesimit të Rumanisë edhe të vizave unë konsideroj që Bashkimi Evropian nuk është një organizatë që bie tash në ndikim dhe roli i kryesuesit nuk mund të jetë përcaktues për dhënien e vizave. Kështu që kjo mund të ndikojë diçka, por nuk mendoj që mund të ndikojë shumë”, ka deklaruar ai.
Por sipas Kurteshit komisionari për Zgjerim i BE-së, Jonahas Hahn, tashmë ka bërë të ditur se procesi i liberalizimit nuk mund të finalizohet para vitit 2020. “Siç e dini, komisionari Hahn ka thënë se Kosova mund të udhëtojë pa viza në Evropë në vitin 2020, që do të thotë se duhet pritur një vit e më tepër”, ka theksuar deputeti i LVV-së.
Liberalizimi, rrugëtim i paqartë
Meqë vendimi për vizat nuk u mor gjatë vitit që shkoi, Besnik Vasolli ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë t’i zbatojnë kriteret e vëna prej Bashkimit Evropian. “Duhet të kemi rezultate edhe më të mëdha në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duhet ta menaxhojmë migrimin edhe më mirë, numri i migruesve jo të rregullt duhet të bjerë edhe më tutje, riatdhesimi dhe riintegrimi duhet të shënojë rezultate edhe më të mira, të drejtat e komuniteteve duhet të mbrohen dhe të respektohen”, është shprehur ai.
Sipas tij, duhet të vazhdohet fushata vetëdijesuese dhe po ashtu të informohen shtetet e BE-së për progresin e arritur në Kosovë. “Përfundimisht duhet t’i informojmë sa më shumë shtetet e BE-së, t’i informojmë për progresin e arritur, të fokusohemi te Rumania dhe Finlanda (si kryesuese të ardhshme e presidencës së BE-së), por të mos i harrojmë edhe shtetet tjera të rëndësishme, siç janë Franca, Gjermania, Holanda, Italia, Suedia etj.”, ka theksuar ai.
Por, sipas tij, aktualisht situata sa i përket liberalizimit nuk është aspak e qartë. “Ne, qytetarët e Kosovës, presim që institucionet e BE-së të marrin një vendim meritor, të qartësohet se ku jemi dhe të vazhdojmë më tutje. Kjo situatë jo e qartë lë vend për spekulime dhe për paqartësi, të cilat edhe mund të keqpërdoren, por definitivisht do ta cenojnë edhe me tutje besimin në BE dhe në Qeverinë e Kosovës”, ka shtuar Vasolli.
Ndërkaq Ismajl Kurteshi ka vlerësuar se liderët kosovarë nuk duhet të bëjnë më gabime që do ta prolongonin çështjen e liberalizimit të vizave. Institucionet sipas tij duhet ta luftojnë korrupsionin e krimin e organizuar me vepra, jo vetëm me deklarime.
E-Diaspora
-
Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, në Gjermani u mbajt promovimi i librit bestseller... -
Fjolla dhe Ardiana prezantojnë “Vajzë”, një urë mes Kosovës dhe Zvicrës -
USA
Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës -
Në Stokholm, Lea Ypi sjell rrëfimin e ri mbi lirinë dhe identitetin shqiptar -
Në Berlin u prezantua romani “ë” i autores Jehona Kicaj
Jeta në Austri
-
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri Rita Ora gati për skenën e madhe në Alpet austriake... -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 -
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025











