Shkurt.ch

Festimi i Bajramit ndanë myslimanët shqiptarë

Festa e Kurban Bajramit duket se e ka ndarë në dysh besimtarët shqiptarë myslimanë në Zvicër

Një ditë pas vendimit të Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër që festa e Kurban Bajramit të festohet sikur në Shqipëri dhe Maqedoni, më 25 tetor, nga ana tjetër Bashkësia Shqiptare Islame në Bernë, e udhëhequr nga imami, Mustafë Mehmeti, njofton nëpërmjet një komunikate për media se kanë vendosur ta shënojnë ditën e parë të kësaj feste më 26 tetor, sikur në Kosovë.

Me këtë rast nuk kanë dhënë sqarime shtesë përse nuk është arritur pajtimi për një ditë të përbashkët të festimit, të paktën në diasporë.

“Bajrami është të premten, më 26 tetor 2012, andaj me këtë rast, kemi kënaqësinë që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Zvicrës t’i përgëzojmë të gjithë besimtarët me rastin e festës së Kurban Bajramit”, thuhet në komunikatën e Bashkësisë Islame Shqiptare në Zvicër.

“Urojmë që Kurban Bajramin ta kalojmë në paqe, lumturi, dashuri dhe respekt ndër vëllazëror duke u afruar sa më afër te krijuesi ynë i përgjithshëm, Allahu fuqiplotë, i cili përpos mirësive tjera të panumërta na dhuroi edhe këtë festë tejet të çmuar dhe të dashur për ne”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

“Kurban Bajrami para së gjithash ngërthen në vete sakrificën që njeriu duhet të shprehë ndaj madhërisë së Allahut xh.sh., duke qenë në gjendje të flijojë çdo gjë për krijuesin e tij të pashoq, ngjashëm siç ishte në gjendje të flijonte edhe Ibrahimi a.s. ,birin e tij Ismailin a.s. , duke shprehur lojalitet të plotë në urdhrin e Allahut xh.sh””, thuhet në komunikatë.

“Le të jetë kjo festë e çmuar një udhërrëfim për të gjithë ne për zbatimin e rekomandimeve kur’anore dhe porosive profetike të Muhammedit a.s. , në realizimin e obligimeve tona fetare dhe shporrje dhe lënie anash e të gjitha anëve negative me të cilat ndeshemi për çdo çast gjatë jetë sonë në këtë botë”, thuhet në komunikatën e Bashkësisë Islame Shqiptare në Zvicër, të nënshkruar nga Mustaf Memeti.

Kjo ndarje vjen për Festën e sivjetme të Kurban Bajramit pas vendimin ndryshe të Bashkësisë Islame të Kosovës krahas dy bashkësive tjera islame në Shqipëri dhe Maqedoni.

Besimtarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë do ta festojnë Bajramin me 25 tetor, ndërsa ata të Kosovës më datë 26 tetor. Shkak i këtyre dy datave duket se është bërë nga njëra anë Tirana, e cila e ka vendosur datën sipas kalendarit hënor, ndërsa Prishtina ka marrë për bazë ditën e Arafatit.