CH-Ballkani
“Trepça”, krenaria apo barra e Kosovës
Edhe kapacitetet e saj humane të Trepçës janë zvogëluar përgjatë viteve, duke u reduktuar në më pak se 1000 punëtorë nga më shumë se 20 mijë, sa ishin të punësuar në këtë kombinat dikur

Dikur konsiderohej si krenaria e Kosovës, ndërsa në dy dekadat e fundit është shndërruar më shumë si barrë politike se sa profitabile. Gjiganti metalurgjik Trepça aktualisht është e ndarë në dy pjesë, në veriun e dominuar nga serbët dhe në jug me minatorë shqiptarë, ndërsa për 18 vitet e pas luftës nuk arrinë të rimëkëmbet.
Funksionalizimin e tij u tha se e pengoi statusi i pazgjidhur dhe ndarjes që ngjasonte edhe në vetë qytetin e Mitrovicës.
Pas luftës, gjatë periudhës 2000 – 2004, miniera nuk ka funksionuar, por kishin filluar të bëhen përgatitjet e punishteve për prodhim, për të bërë të gatshme atë në vitin 2005, por me kapacitet minimal.
Nga rreth 600 mijë tonë xehe në vit sa prodhonte miniera në vitet 1945 deri në periudhën e para vitit 1990, sot nga aty nxirren jo më shumë se 150 mijë tonë xehe. Edhe kapacitetet e saj humane janë zvogëluar përgjatë viteve, duke u reduktuar në më pak se 1000 punëtorë nga më shumë se 20,000, sa ishin të punësuar në këtë kombinat dikur.
Ish administrata e OKB-së që ishte instaluar në Kosovë si administratë emergjente (UNMIK) Trepçën e kishte cilësuar si dinozaur që i takon të kaluarës.
Në shkurt të vitit 2015 ndërmarrja Trepça, ishte rrezikuar të shkojë në likuidim, por Qeveria e Kosovës me hapa të shpejtë miratoi Ligjin për ndërmarrje publike, sipas të cilit Trepça nxirret nga administrimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe shndërrohet në ndërmarrje publike, të menaxhuar nga shteti.
Ky vendim, në atë kohë ishte kundërshtuar nga partitë opozitare, të cilat kishin kërkuar që Trepça të trajtohet me një ligj të veçantë.
Çështja e statusit të kombinatit ishte bërë edhe shkas i protestave të partive politike në opozitë në janar të vitit 2016, që u përshkuan me përplasje të ashpra ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.
Po atë vit, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Trepçën, me të cilin u tha se gjiganti ekonomik do të rimëkëmbet dhe do të rikthehet në treg. Ligji e përcaktoi Qeverinë e Kosovës si pronare të 80 për qind të aksioneve të kombinatit.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për kombinatin Trepça kishte nxitur reagimin e Beogradi zyrtar, pasi ndërmarrjen Serbia e konsideron pjesë të saj. Ligji i miratuar për Trepçën, edhe pas një viti që nga miratimi, nuk arriti të zbatohet.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdin Lluka, ka thënë se presin se në gjashtë mujorin e vitit 2018 të funksionalizohet kombinati Trepça.
“Besoj që deri në muajin qershor do të kemi bordin, statutin regjistrimin e Trepçës si shoqëri aksionare, manaxhmentin e Trepçës si dhe vlerësimin e rezervave minerare, pasi që deri tani të dhënat për rezervat e Trepçës janë të viteve të 70-ta, e të cila nuk janë të mjaftueshme si të dhëna për investitorë të huaj, prandaj dhe duhet ta bëjmë një rivlerësim të atyre rezervave”, ka thënë ministri Lluka, transmeton REL.
I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës, që është bërë në vitin 1992, pati vlerësuar se potenciali material i Trepçës mund të jetë 85 miliardë dollarë amerikanë. Institucionet e vendit u kritikuan nga përfaqësuesit e kombinatit Trepça dhe nga minatorët, se neglizhuan proceset që e bënin ligjin të zbatueshëm.
Minatorët e Trepçës thonë për Radion Evropa e Lirë se procesi i neglizhuar që pamundësoi zbatimin e Ligjit të miratuar për Trepçën, i krijoji humbje të mëdha ndërmarrjes.
Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së Trepçës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë flet për një gjendje jo të mirë në kombinatit Trepça. Ai thotë se prodhimi ka rënë në nivel shumë të ulët.
“Gjendja aktuale në Trepçë nuk është aspak e mirë dhe kjo për shumë arsye: si mosformimi i bordit mbikëqyrës, keqmenaxhimi, keqpërdorimet dhe mosdisiplina në punë. Vetëm në nëntë mujorin e parë të këtij viti, kemi prodhim më pak për 30 për qind krahasuar me vitin paraprak. Nëse vazhdohet me vonesa në përzgjedhjen e bordit mbikëqyrës, Trepça do të shkojë drejt falimentimit”, thotë Sadiku.
Gjatë këtyre 18 viteve, minatorët thonë se punuan në kushte mjaft të vështira.
Mosha mesatare e minatorëve është 55-vjeç, e cila konsiderohet të jetë moshë e shtyer për të bërë një punë në minierë.
Rrogat aktuale të punëtorëve sillen nga 600 deri në 800 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale. Por, asnjë nga ata nuk ka sigurim shëndetësor apo jetësor.
Isuf Beqiri, minator në minierën e Stantërgut, ku punon që prej vitit 1978, thotë për Radion Evropa e Lirë, se minatorët e Trepçës janë të harruar nga institucionet e Kosovës dhe se nuk po punohet asgjë në krijimin e kushteve më të mira për ta.
“Nuk është bërë asgjë për neve minatorët. Një ligj që është bërë nuk ka filluar të zbatohet akoma. Gjendja e minatorëve është e vështirë, nuk kemi as sigurime shëndetësore, që nga pas lufta nuk kemi asgjë. Qeveria e Kosovës duhet të marrë masat për përmirësimin e kushteve të minatorëve”, thekson Beqiri.
Trepça sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keqshfrytëzimit në të kaluarën.
Të tjera nga CH-Ballkani
E-Diaspora
-
AES fuqizon rolin e diasporës në teknologji dhe siguri “Cybersecurity & Networking Night 2025” mblodhi me dhjetëra profesionistë të teknologjisë, inxhinierë dhe ekspertë të fushave...
-
Gati 1 milion pasagjerë vetëm në muajin qershor, në Aeroportin e Tiranës
-
VLEN: Deklarata e Ali Ahmetit për regjistrimin është skandal, mërgata meriton përgjigje
-
Gjermani: Mërgimtari keqtrajton 17 vjeçaren nga Kosova
-
Londër
Londër: Shqiptarja zgjidhet nxënësja më e mirë për vitin 2025, ftohet nga pesë universitete botërore
Jeta në Austri
-
Austria pritet të përballet me një valë të nxehti Pasi pjesa më e madhe e Evropës ka qenë në vapë të madhe, Austria është gati...
-
Austri: Prej 1 korrikut, kosto më të larta për këto shërbime
-
Austria do dyfishojë fondet për shëndetin mendor në shkolla pas tragjedisë në Graz
-
Rritje e interesimit për studimet mjekësore në Austri
-
Zjarr i madh në impiantin e riciklimit në Tirolin Lindor