Shkurt.ch

Numri i të huajve të dëbuar mbetet i njëjtë, përkundër ashpërsimit të ligjit

"Numri prej 4000 të huajve kriminelë të dëbuar në vit, sa është proklamuar gjatë fushatës për ashpërsimin e ligjit, nuk do të arrihet asnjëherë"

Më 1 tetor është mbushur plot një vit nga hyrja në fuqi e ligjit të ashpërsuar për dëbimin nga Zvicra të të huajve me dosje krimi. Por numri i të dëbuarve të kësaj kategorie nuk ndryshon pothuaj fare nga ai i viteve të mëparshme, shkruan “Sonntaszeitung” duke u bazuar në një sondazh të realizuar nga ajo me autoritetet përgjegjëse në kantone.

Sipas sondazhit, numri i kriminelëve të dëbuar në periudhën 1 tetor 2016 – 1 tetor 2017 ka qenë i njëjtë me atë të  zakonshmin.

Kështu, me ligjin e ashpërsuar, gjatë 12 muajve të fundit janë shqiptuar gjithsej rreth 450 vendime të plotfuqishme për dëbim të të huajve, transmeton albinfo.ch. Kjo ka rezultuar me 400 dëbime të realizuara. Para ashpërsimit të ligjit, Zvicra ka dëbuar mesatarisht nga 500 deri 800 të huaj në vit.

Numri i dëbimeve del më i vogël gjatë vitit të fundit për shkakun se në sondazh kanë marrë pjesë vetëm 17 nga gjithsej 26 kantonet. Përpiluesit e sondazhit konsiderojnë se pjesëmarrja e edhe 9 kantoneve të mbetura do të nxirrte shifrën e zakonshme vjetore prej 500 deri 800 të dëbuarish.

Ndërkaq, autoritetet e kantoneve pjesëmarrëse në sondazh: Gjeneva, Schaffhauseni dhe Thurgau kanë deklaruar në mënyrë eksplicite se në kantonet e tyre nuk kanë konstatuar rritje të numrit të dëbimeve, përcjell albinfo.ch. Në Bernë, nga ana tjetër, vetëm 10% të rasteve të dëbimit janë bërë falë ashpërsimit të fundit të ligjit.

Shumica dërmuese e të huajve me dosje krimi dëbohen duke u mbështetur në Ligjin për të Huajt. Këtë instrument, kantonet e kanë pasur në dispozicion edhe më parë, thuhet në artikull.

Gazeta shkruan më tutje se disa nga kantonet pjesëmarrëse nuk kanë dhënë shifra unike. Kantone të tjera thonë se ende është herët për një bilanc, pasi që sipas tyre, efektet e ligjit të ri pritet të tregohen pas dy ose tri vitesh.

Por, një gjë mbetet e sigurt: numri prej 4000 të huajve kriminelë të dëbuar në vit, sa është pritur dhe është proklamuar gjatë fushatës për ashpërsimin e ligjit, nuk do të mbërrihet asnjëherë, përfundon artikulli.