Shkurt.ch
Pas Calmy Rey, çmimi “Diaspora” shkon te Shaqiri!
Termini më i afërt për solemnitetin e ndarjes së çmimit "Diaspora" është gjysma e dytë e muajit prill. Çmimi ndahet për vitin 2012
Në vitin 2010 u promovua për herë të parë çmimi “Diaspora”, që mërgata e Kosovës në Zvicër ia dedikon një personaliteti të rëndësishëm zviceran ose kosovar, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë për Kosovën dhe kosovarët.
Çmimi i parë “Diaspora” iu dorëzua pastaj në vitin 2011, në një solemnitet zyrtar, ish presidentes dhe ministres së jashtme të Zvicrës, mikes së dëshmuar të Kosovës, zonjës Micheline Calmy Rey.
Ndërsa fitues i radhës i çmimit “Diaspora” do të jetë futbollisti më i mirë i Zvicrës, shqiptari nga Kosova, Xherdan Shaqiri. Këtë e thotë për gazetën “NZZ am Sonntag” ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj, i cili e konfirmon këtë edhe për albinfo.ch.
“Shaqiri është përfaqësuesi më i njohur i bashkësisë kosovare-shqiptare në Zvicër”, ka thënë Malaj për gazetën. Ky futbollist është, sipas tij “një shembull i integrimit të suksesshëm”, dhe më tutje është një ndërtues i rëndësishëm urash mes dy vendeve. “Falë Shaqirit dhe lojtarëve tjerë me prejardhje shqiptare, si Xhaka, Xhemaili, Behrami ose Mehmedi, kombëtarja e Zvicrës ka mijëra tifozë edhe në Kosovë”, ka thënë Malaj.
Edhe Shaqiri vetë ka shprehur kënaqësinë për çmimin. “Kosova është atdheu i babait tim dhe të parëve të mi”, thotë ai duke pohuar se Kosova ka peshe shumë të madhe për të.
Lidhjen e tij me të dy kulturat, Shaqiri e përmbledh me një fjali: “Unë jam i lindur në Zvicër, luaj futboll për Zvicrën dhe e ndjej veten si një zviceran me shumë respekt për Kosovën ose si kosovar me shumë respekt për Zvicrën”.
Shaqiri, si laureat i çmimit “Diaspora” vjen i dyti pas ish ministres së jashtme Micheline Calmy Rey. Asaj i qe ndarë ky Çmim në nëntor të vitit 2010 për angazhimin e saj në themelimin e shtetit të ri të Kosovës. Por vetë dorëzimi i çmimit qe shtyrë për një vit më vonë. Kjo, për shkakun se Dick Marty, deputet zviceran i atëhershëm në Këshillin e Evropës dhe në dhomën e kantoneve në Parlamentin e Zvicrës, kishte bërë akuza të rënda në drejtim të qeverisë së Kosovës për shkelje të drejtash të njeriut. Në kushtet e tilla, ndarja e çmimit dukej e papërshtatshme.
Kështu, Calmy-Rey e mori çmimin pak para se të jepte dorëheqjen nga postet e saj, në vjeshtë të vitit 2011, shkruan më tutje NZZ am Sonntag.
Sipas amabasadorit Malaj, një shtyrje mund të ndodhë sërish. Sepse koha për të cilën është menduar të jepet çmimi, prilli i këtij viti, mund të jetë e ngarkuar për Shaqirin, i cili ndërkohë do të luajë ndeshjen për Ligën Evropiane, ku do të mbrojë ngjyrat e FC Baselit, kundër FC Bayernit, me të cilin ka nënshkruar kontratën që hyn në fuqi në korrik, shkruan “NZZ am Sonntag”.
I pyetur nga albinfo, ambasadori Malaj thotë se termini më i afërt për solemnitetin e ndarjes së çmimit “Diaspora” është gjysma e dytë e muajit prill. Çmimi ndahet për vitin 2012.
Të tjera nga Shkurt.ch
E-Diaspora
-
Neurokirurgu shqiptar Valon Baraliu në Gjermani: “Në neurokirurgji, puna bëhet emër” Nga Kosova drejt një karriere profesionale në Gjermani dhe në sisteme të ndryshme evropiane, Dr. med.... -
AHV 2030: Pensioni nuk vjen më vetë – pse duhet ta planifikoni më herët në Zvicër -
Nga Zvicra në Kosovë: Historia e Vali Ranch në fokus te televizioneve shqiptare -
Kino Kosova rikthehet në Bernë: Edicioni i shtatë mbahet më 9–13 shtator 2026 -
Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton “Bolero” dhe “Correr o Fado” në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum
Jeta në Austri
-
Edhe mësuesit shqiptarë nga Austria pjesë e Seminarit të Mësuesve të Diasporës Seminari i 19-të i mësuesve të diasporës në Brezovicë... -
Austri: Deri në 17 për qind më shumë natyralizime në gjysmën e parë të vitit -
Shkollat e Policisë në Vjenë përballen me vende të zbrazëta pavarësisht 900 aplikantëve -
Trenat e Aeroportit të Vjenës devijohen pas zjarrit në kabllon Praterstern -
Austri: Ka shtënë me armë mbi policët, burg i përjetshëm për kosovarin












